E rëndë, vdes punëtori i KEK-ut që u lëndua para pak ditësh
Ka vdekur punëtori i KEK-ut, Milazim Binaku, i cili ishte lënduar rëndë në vendin e punës para pak ditësh.
Për vdekjen e tij ka njoftuar Sindikata e KEK-ut.
“Njoftojmë të gjithë punëtorët e KEK-ut se një javë pas lëndimit që pësoi në vendin e punës, u nda nga jeta shoku, kolegu dhe bashkëpunëtori ynë i nderuar, Milazim Binaku. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Binaku, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe u prehtë në paqe”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Ndryshe, 60-vjeçari ishte lënduar rëndë, pasi ishte goditur në kokë nga një mjet i fortë, teksa ishte duke punuar në “Kosovamont”, në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Pas lëndimit, ai ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe ishte duke u mjekuar në kujdesin intensiv, por që nuk ka arritur të mbijetojë pas lëndimeve të marra.