Kamioni i mbeturinave shkel për vdekje shqiptaren në Itali
Një 42-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në San Dona di Piave, në provincën e Venecias, Itali, pasi u përplas nga një kamion për mbledhjen e mbeturinave.
Gruaja, nënë e tre fëmijëve, ishte duke shoqëruar vajzën e saj nëntëvjeçare për në shkollë kur ndodhi aksidenti tragjik.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat lokale, ajo përfundoi nën rrotat e mjetit të rëndë.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilët ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme. Pavarësisht përpjekjeve, gruaja nuk mundi të mbijetonte.
Vajza 9-vjeçare, e cila ndodhej pranë nënës së saj në momentin e aksidentit, fatmirësisht nuk pësoi lëndime.
Megjithatë, ajo ishte dëshmitare e ngjarjes së rëndë. Në vendngjarje mbërritën edhe dy fëmijët e tjerë të viktimës, 18 dhe 20 vjeç.
Shoferi i kamionit, i cili pas aksidentit ishte në gjendje shoku, u dërgua për kontroll mjekësor.
Policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar rrethanat në të cilat ndodhi përplasja. /tch