49-vjeçari u gjet pa shenja jete, policia e Ferizajt jep detaje
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Klankosova.tv se trupi i pajetë i 49-vjeçarit është gjetur pas disa orësh kërkime.
Veseli deklaroi se në operacionin e gjetjes janë përfshirë njësitë përkatëse policore dhe ekipet e kërkim-shpëtimit.
Ai theksoi se rasti u raportua sonte në mbrëmje nga familjarët, se viktima ishte larguar nga shtëpia dhe nuk kishin arritur të kontaktonin me të.
Gjatë kërkimeve, në zonën e Parkut të Pishave, në Rahovicë, është gjetur vetura e tij e markës “Skoda”, me targa të huaja.
“Për shkak të rrethanave të rastit, në kërkim janë angazhuar njësitë relevante policore, përfshirë njësinë K9 dhe Shoqatën për Kërkim dhe Shpëtim të Kosovës”, deklaroi Veseli.
Pas disa orësh kërkimesh, është gjetur një trup i pajetë, për të cilin dyshohet se i përket personit të raportuar të zhdukur.
"Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e emergjencës dhe njësitë përkatëse policore. Rrethanat e rastit janë duke u hetuar, ndërsa informacione të tjera pritet të bëhen të ditura përmes raportit vijues të Policisë".