Vazhdon rigjykimi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e Maria Clara Urdangarayt
I akuzuari për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, Endrit Nika, ka dalë para Gjykatës Themelore, ku pritet vazhdimi i rigjykimit ndaj tij.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 shkurt ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Endrit Nikës, duke e dënuar me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu rastin në rigjykim.
Në seancën e 28 majit 2025 i akuzuari u deklarua i pafajshëm. Aktakuzën e ka ngritur më 11 shkurt 2025 Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij - tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës, nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka vdekur në QKUK.
Me këtë, i akuzuari Endrit Nika ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga Neni 173, par.1, pika 1.3 e Kodit Penal. /eo

