Aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për shitjen e rreth 1.8 kg heroinë dhe armëmbajtje pa leje
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve, pasi gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1.8 kilogram heroinë, një sasi marihuane, pesë armë zjarri dhe 549 fishekë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit R.B., A.R. dhe B.(Sh) B. ndodhen në paraburgim që nga 23 marsi i vitit 2026, ndërsa dy prej tyre akuzohen edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, tre të pandehurit, duke vepruar në bashkëkryerje dhe si anëtarë të një grupi, dyshohet se nga një periudhë e pacaktuar deri më 23 mars 2026 janë marrë me shitjen dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të heroinës në fshatin Gjinoc të Suharekës.
Prokuroria bën të ditur se më 23 mars, gjatë realizimit të një shitjeje të narkotikëve, policia kishte ndaluar automjetin, në të cilin ishin fshehur dy paketime me heroinë, me peshë fillestare prej 1.017.25 gramësh.
Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej të pandehurve, R.B., ishte gjetur edhe një sasi tjetër e dyshuar heroine, me peshë fillestare prej 806 gramësh.
Sipas ekspertizës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, dy sasitë përmbanin heroinë të përzier me substanca të tjera, me peshë neto të përgjithshme prej 1.780.13 gramësh. Po ashtu, në shtëpinë e të pandehurit B.(Sh) B. ishte sekuestruar edhe marihuanë, me peshë neto prej 12.69 gramësh.
Gjatë kontrolleve në pronat e të pandehurve janë sekuestruar edhe pesë armë zjarri, duke përfshirë pistoleta, pushkë gjuetie dhe një armë automatike, si dhe 549 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Gjithashtu, është kërkuar konfiskimi i përhershëm i dy automjeteve, një Land Rover dhe një Mercedes GLE, telefonave mobilë, pajisjeve elektronike, parave të gatshme, narkotikëve, armëve dhe municionit, të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale ose janë përfituar prej tyre.
Prokuroria ka propozuar që dy automjetet të shiten përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ndërsa të hyrat të derdhen në buxhetin e Kosovës. Për narkotikët, armët, municionin dhe pajisjet e tjera është kërkuar konfiskimi dhe shkatërrimi sipas procedurave ligjore.
Të pandehurit prezumohen të pafajshëm, derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës. /Zëri