Mblodhi 189 mijë euro kinse për shërim, arrestohet i dyshuari në Gjilan
Foto: Laura Hasani

Mblodhi 189 mijë euro kinse për shërim, arrestohet i dyshuari në Gjilan

Kronika November 22, 2026 - 16:23

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet E.A., i dyshuar për veprën penale të mashtrimit.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar një histori se vuante nga sëmundja e “Leukemisë Akute”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Përmes një platforme online për mbledhjen e donacioneve, ai dyshohet se kishte zhvilluar fushatë në Kosovë dhe diasporë, kinse për të siguruar mjete për shërim dhe rehabilitim.

Nga ky aktivitet, sipas Prokurorisë, janë grumbulluar 189 mijë e 206 euro e 8 centë, ndërsa verifikimet e historisë së tij kanë treguar se i dyshuari nuk vuante nga kjo sëmundje.

Prokuroria dhe Policia kanë bërë të ditur se paratë e grumbulluara janë bllokuar në të gjitha llogaritë bankare të evidentuara lidhur me rastin.

I dyshuari është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00, dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria ka njoftuar se brenda afateve ligjore do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan.