Një muaj paraburgim për të dyshuarin që mashtroi qytetarët se është i sëmurë me leukemi
Foto: Laura Hasani

Një muaj paraburgim për të dyshuarin që mashtroi qytetarët se është i sëmurë me leukemi

Kronika November 23, 2026 - 13:32

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit E. A. i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, nga data 09.11.2026 e deri më datën 21.11.2026, i pandehuri E. A., me dashje dhe në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke e përdorur metodën e mashtrimit, i sjell në lajthim personat tjerë, në atë mënyrë që ka sajuar situatën se kinse është i sëmurë me sëmundjen e Leukemisë Akute, duke prezantuar edhe dokumentacion të rremë nga spitali “Acibadem Altzunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do t’i nënshtrohet trajtimit lidhur me sëmundjen. E më pas përmes hapjes së “GoFound” dhe aktivitetit të familjarëve dhe personave të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, arrin të grumbullojë shumën prej 162.522 eurove, në rrjetin “GoFound”, si dhe nga aktiviteti për grumbullimin e mjeteve në qytetin e Gjilanit janë grumbulluar shuma prej 26.684.8, me çka të dëmtuarve, konkretisht qytetarëve të ndryshëm, u ka shkaktuar dëm material në vlera të ndryshme e që shuma e tërësishme arrin vlerën prej 189.206.8, duke krijuar dobi pasurore për vete.

“Më këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale mashtrimi nga Neni 323 paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1, e lidhur me Nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.