Nesër, gjysmëfinalja vendimtare
Të mërkurën zhvillohet sfida vendimtare mes Bashkimit dhe Borës për një vend në finale të Play-offit.
Seria gjysmëfinale është 2:2 dhe kush triumfon të mërkurën do t’i bashkohet Trepçës në finale.
Portokallezinjtë kërkojnë të rikthehen në finale dhe të fitojnë titullin e kampionit, kurse Bora vazhdon të ndjekë ëndrrën, pasi kjo është hera e parë që ndodhen në Play-off, kurse kanë synime të qarta për këtë edicion historik të tyre.
Katër ndeshjet gjysmëfinale kanë dhuruar spektakël dhe dramë deri në fund, duke e bërë edhe më interesante sfidën për nesër.
Ndeshja e parë përfundoi 73:70 për Portokallezinjtë, kurse prishtinasit u kundërpërgjigjën në ndeshjen e dytë 76:75. Në Prizren sërish fituan vendasit 88:73, ndërsa ndeshja e fundit i takoi prishtinasve 104:99.
Përballja e së mërkurës zhvillohet nga ora 19:30.