Bayerni po planifikon goditje të dyfishtë në repartin ofensivë

Bayerni po planifikon goditje të dyfishtë në repartin ofensivë

Sport May 13, 2026 - 10:42

Bayern Munich ka nisur planet për afatin kalimtar të verës, pasi drejtuesit e klubit kanë identifikuar nevojën për përforcime pas analizës së sezonit aktual.

Sipas raportimeve të “Sport Bild”, në analizën e zhvilluar në Sabener Strase është konstatuar mungesë cilësie në disa reparte të skuadrës, me fokus të veçantë te ofensiva. Objektivi kryesor i bavarezëve për sezonin e ardhshëm mbetet fitimi i tripletës.

Raporti thekson se Bayern synon të transferojë dy lojtarë ofensivë: një futbollist të nivelit të lartë për formacionin bazë dhe një tjetër për të rritur konkurrencën dhe thellësinë e skuadrës.

Emri kryesor në listën e klubit është Anthony Gordon i Newcastle United. Sulmuesi anglez konsiderohet prioriteti kryesor i drejtuesve bavarezë, ndërsa edhe Uli Hoenes po shtyn për realizimin e marrëveshjes. Megjithatë, problemi kryesor mbetet çmimi i lartë që kërkon Newcastle për kartonin e lojtarit.

Një alternativë më e përballueshme shihet Mika Godts i Ajax, i cili po konsiderohet si një opsion për të shtuar thellësi në skuadër.

Ndërkohë, zërat për një transferim të mundshëm të Charles De Ketelaere drejt Bayernit duket se janë ftohur, pavarësisht raportimeve të mëhershme që pretendonin se lojtari kishte arritur marrëveshje me klubin gjerman. /telegrafi