Ylli i Juventusit rrëfen krizën më të madhe të karrierës: Arrita në fund, qaja gjatë stërvitjeve

Ylli i Juventusit rrëfen krizën më të madhe të karrierës: Arrita në fund, qaja gjatë stërvitjeve

Sport June 03, 2026 - 13:07

Sulmuesi polak, Arkadiusz Milik, ka bërë një rrëfim prekës për periudhën më të vështirë të karrierës së tij, duke zbuluar se lëndimet e vazhdueshme e çuan në një krizë të thellë emocionale gjatë qëndrimit te Juventusi.

Në një intervistë për podkastin “Kanal Sportowi”, 32-vjeçari foli hapur për dy vitet e fundit, të cilat u karakterizuan nga dëmtime të shumta dhe mungesa të gjata nga fushat e lojës.

“Për çfarë do të flisja? Në dy vitet e fundit mund të flisja vetëm për lëndimet e mia. Ishte një periudhë që më lodhi plotësisht”, tha Milik.

Sulmuesi pranoi se e kishte të vështirë të shihte shokët e skuadrës duke luajtur në ndeshje të mëdha, ndërsa ai vazhdonte rehabilitimin.

“Ndihesha si një njeri i uritur që ecën mes restoranteve të shkëlqyera. Kështu ndihesha kur shokët e ekipit luanin në Ligën e Kampionëve, sidomos në ndeshje si ajo kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu”, u shpreh ai.

Milik zbuloi gjithashtu se, pas shumë hezitimesh, kërkoi ndihmë profesionale për shkak të gjendjes së tij psikologjike.

“Mendova për një kohë të gjatë nëse duhej të shkoja te një psikolog. I thosha vetes se duhej t’ia dilja vetë, por nuk munda. Nga janari deri në prill të vitit 2025 kalova periudhën më të vështirë të jetës sime. Nuk do ta quaja depresion, por për mua ishte fundi”, deklaroi ai.

Sipas polakut, futbolli kishte qenë gjithmonë streha e tij nga problemet, por në atë periudhë edhe stërvitja ishte kthyer në një sfidë emocionale.

“Shkoja në palestër, stërvitesha dhe filloja të qaja. Më është dashur disa herë të ndërprisja stërvitjen dhe të shkoja në banjë për të qarë. Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë në jetë”, rrëfeu sulmuesi.

Megjithatë, ai tha se momenti i rikthimit në fushë i solli emocione krejtësisht të ndryshme.

“Kur fillova të rikthehesha në fushë në maj, më dolën lot gëzimi. Mësova një gjë të rëndësishme, paratë nuk blejnë lumturinë. Kam fituar më shumë se kurrë gjatë kësaj periudhe, por kurrë nuk kam qenë kaq i pakënaqur që kur fillova të luaj futboll”, shtoi ai.

Ndërkohë, e ardhmja e Milikut duket larg Torinos. Raportet në Itali sugjerojnë se Juventusi nuk llogarit më te sulmuesi për sezonin e ardhshëm, kryesisht për shkak të pasigurive që lidhen me gjendjen e tij fizike.

Një rikthim te Gornik Zabrze, klubi ku nisi karrierën, mbetet një nga opsionet e mundshme. Megjithatë, vetë futbollisti ka shmangur të japë garanci për një transferim të tillë.

Sipas të dhënave të Transfermarkt, Milik ka qenë pjesë e Juventusit që nga viti 2022, duke realizuar 17 gola në 77 paraqitje.

Periudhën më të suksesshme të karrierës e kaloi te Napoli, ku shënoi 48 gola në 122 ndeshje.

Ai ka luajtur gjithashtu për Ajaxin, Marseillne, Augsburgun dhe Leverkusenin. /telegrafi