Granit Xhaka befason me deklaratën: Dua të bëhem kampion bote me Zvicrën

Granit Xhaka befason me deklaratën: Dua të bëhem kampion bote me Zvicrën

Sport June 03, 2026 - 15:50

Kapiteni shqiptar i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, nuk ka fshehur ambiciet para Kupës së Botës 2026, duke deklaruar se ëndrra e tij është ngritja e trofeut më të madh në futbollin botëror.

Granit Xhaka ka bërë një deklaratë që po tërheq vëmendje të madhe në prag të Kupës së Botës 2026.

Në një intervistë për mediumin zviceran Blick, mesfushori shqiptar ka theksuar se objektivi i tij më i madh është të shpallet kampion bote me Kombëtaren e Zvicrës.

“Dua të bëhem kampion bote. Ndoshta disa do të qeshin me këtë, por unë gjithmonë kam menduar në këtë mënyrë. Duhet të kesh vizione dhe të mendosh në përmasa të mëdha. Nëse nuk beson vetë në ëndrrat e tua, atëherë nuk mund t’i arrish kurrë ato”, deklaroi Xhaka për Blick, transmeton Telegrafi.

Kapiteni i Zvicrës shpjegoi se nuk e konsideron këtë deklaratë si arrogancë, por si një mënyrë të të menduarit që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij.

Ai kujtoi se edhe para triumfit të Zvicrës në Kupën e Botës U17 në vitin 2009 kishte besuar fuqishëm se skuadra e tij mund të shkonte deri në fund.

Xhaka beson se brezi aktual i futbollistëve zviceranë ka cilësi të mjaftueshme për të rivalizuar me kombëtaret më të mëdha në botë. Sipas tij, për të arritur rezultate historike duhet fillimisht të ekzistojë bindja se ato janë të mundshme. /telegrafi