Meçi Dielli Vranoci - Asina Byfield, pasqyrë e hidhur e gjendjes ku ka rënë boksi profesionist

Meçi Dielli Vranoci - Asina Byfield, pasqyrë e hidhur e gjendjes ku ka rënë boksi profesionist

Sport August 02, 2026 - 17:47

Agim Kasapolli ka reaguar ndaj meçit të boksit profesionist i zhvilluar me 1 gusht (dje) në Pejë mes Dielli Vranocit dhe Asina Byfield.

Sipas Kasapollit, ky meç ishte pasqyrë e hidhur e gjendjes ku ka rënë boksi profesionist 

Postimi i plotë:

BOKSI QË NA TURPËROI

Meçi i boksit profesionist i zhvilluar më 1 gusht në Pejë, ndërmjet boksierit pejan Dielli Vranoci dhe britanikut Asina Byfield, nuk do të mbahet mend për cilësinë e boksit, por për dështimin e organizimit, arbitrimit dhe transmetimit televiziv. Ishte një pasqyrë e hidhur e gjendjes në të cilën ka rënë boksi profesionist në Kosovë.

Transmetimin e drejtpërdrejtë e realizoi Klan Kosova, një televizion që e paraqet veten si media elitare. Mirëpo, ajo që panë shikuesit ishte larg çdo standardi profesional. Ndërprerje të pashpjegueshme, mungesë organizimi, mungesë informacioni dhe një komentator që në vend se ta ndihmonte publikun ta kuptonte zhvillimin e meçit, shpesh e la atë edhe më të hutuar. Pikërisht në çastet vendimtare, kur publiku priste shpjegime për gjendjen e boksierit dhe vendimet e gjyqtarit, në ekran mbretëroi heshtja. Një heshtje e pafalshme.

Edhe më shqetësues është fakti se boksi profesionist në Kosovë po bie gjithnjë e më shumë në duart e njerëzve që nuk kanë as përgatitjen dhe as përgjegjësinë për të organizuar ngjarje të tilla. Kur prioritet bëhet sigurimi i sponsorëve dhe jo mbrojtja e sportistit, atëherë sporti humb kuptimin e tij. Boksi nuk është biznes i improvizuar dhe as vend për aventurierë. Është një sport ku një vendim i gabuar mund të kushtojë me pasoja të rënda, madje edhe me jetë.

Për këtë arsye, Ministria përgjegjëse për Sportin nuk ka më të drejtë të heshtë. Ajo duhet të ushtrojë kontroll shumë më të rreptë mbi organizimin e meçeve profesioniste, licencimin e organizatorëve dhe respektimin e standardeve të sigurisë. Në të kundërtën, do të jetë bashkëpërgjegjëse për çdo pasojë që mund të ndodhë në të ardhmen.

Ngjarja në Pejë ishte alarmi më serioz.

Pesë raundet e para zhvilluan një boks mesatar, me kujdes dhe taktizime. Por në raundin e gjashtë gjithçka ndryshoi. Rreth një minutë para fundit të meçit, Asina Byfield e rrëzoi Dielli Vranocin me një goditje të fuqishme. Gjyqtari në ring, Muzli Ukaj, bëri numërimin, por pa u siguruar plotësisht për gjendjen fizike të boksierit lejoi vazhdimin e luftës.

Pas rifillimit erdhi një nokdaun edhe më i rëndë. Në atë moment çdo gjyqtar me përvojë do ta kishte ndërprerë menjëherë duelin. Siguria e sportistit është detyrimi i parë i arbitrit, jo vazhdimi i spektaklit. Megjithatë, meçi vazhdoi dhe pasoi edhe nokdauni i tretë. Për shumë njohës të boksit, Vranoci në ato çaste ishte praktikisht i nokautuar në këmbë dhe i pambrojtur. Çdo sekondë shtesë në ring e shtonte rrezikun për shëndetin e tij.

Prandaj, veprimi i gjyqtarit Muzli Ukaj meriton kritikë të ashpër profesionale. Në ring nuk kërkohet guxim për ta vazhduar meçin, por guxim për ta ndërprerë atë kur rrezikohet jeta e boksierit.

Përgjegjësi mban edhe këndi i Vranocit. Trajneri duhet ta kishte ndërprerë meçin sapo u bë e qartë se boksieri i tij nuk ishte më në gjendje të mbrohej. Nuk ka fitore që vlen më shumë se shëndeti i një sportisti.

Po aq i rëndë ishte edhe dështimi mediatik. Në vend të analizës profesionale dhe informimit të publikut, shikuesit morën heshtje. Pikërisht në momentin kur televizioni duhej ta kryente misionin e tij informues, ai mungoi plotësisht. Kjo nuk është gazetari sportive. Kjo është papërgjegjësi.

Ngjarja e Pejës duhet të shërbejë si kambanë alarmi. Nëse vazhdohet me organizime improvizuese, me arbitra që nuk reagojnë në kohë, me trajnerë që nuk e mbrojnë sportistin dhe me media që heshtin në momentet më kritike, atëherë nuk po ndërtojmë boks profesionist. Po luajmë me shëndetin dhe jetën e njerëzve.

Dhe kur sporti shndërrohet në papërgjegjësi, atëherë nuk kemi më të drejtë të flasim për sukses. Kemi vetëm detyrim të kërkojmë përgjegjësi.