“Turp!” – Vinicius shpërthen pas kartonit të kuq, ndihet i trajtuar padrejtësisht

“Turp!” – Vinicius shpërthen pas kartonit të kuq, ndihet i trajtuar padrejtësisht

Sport October 11, 2026 - 11:27

Vinicius Junior ka reaguar ashpër pas kartonit të kuq që mori në fitoren e Real Madridit ndaj Villarrealit, duke pretenduar se gjyqtarët po e ndëshkojnë vazhdimisht atë, ndërsa kundërshtarët shpesh shpëtojnë pa karton.

Sulmuesi brazilian u bë protagonist i një episodi të diskutueshëm në minutën e 72-të të ndeshjes në “Santiago Bernabeu”.

Pasi u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, Vinicius mendoi se kishte shënuar golin e dytë për Real Madridin, por festa e tij u ndërpre nga ndërhyrja e VAR-it.

Pamjet treguan se braziliani i kishte tërhequr flokët kundërshtarit Nathan Saliba gjatë aksionit.

Pas rishikimit të situatës, gjyqtari anuloi golin dhe e ndëshkoi drejtpërdrejt me karton të kuq.

Vendimi e tërboi Viniciusin, i cili protestoi ashpër ndaj gjyqtarit.

Bashkëlojtarët, përfshirë Antonio Rüdigerin, u detyruan ta ndalonin që situata të mos përshkallëzohej më tej.

Pas ndeshjes, braziliani publikoi në rrjetet sociale një fotomontazh me tetë raste nga ndeshje të ndryshme, në të cilat, sipas tij, kundërshtarët duhej të ndëshkoheshin me kartonë të verdhë ose të kuq.

“Dhe ai që gjithmonë sheh karton të verdhë dhe të kuq është Vinicius. Turp!”, ishte mesazhi i tij, përmes të cilit shprehu pakënaqësinë me atë që e konsideron trajtim të padrejtë nga gjyqtarët.

Megjithatë, sulmuesi kërkoi falje ndaj ekipit dhe tifozëve për përjashtimin që e la Real Madridin me një lojtar më pak në minutat e fundit.

“Ju kërkoj falje ekipit dhe tifozëve”, shkroi ai. /Zëri