"Mbappé është më i miri në botë, Olise është në nivelin e Yamalit"

Sport October 18, 2026 - 12:59

Ish-futbollisti i Sevillas, Steven Nzonzi, ka vlerësuar disa nga yjet e futbollit botëror, duke e cilësuar Kylian Mbappén si lojtarin më të mirë në botë dhe duke e vendosur Michael Olisen në të njëjtin nivel me Lamine Yamal.

Nzonzi, i cili aktualisht luan për Dunkerque në Francë, beson se Mbappé e meriton Topin e Artë, pavarësisht mungesës së trofeve të rëndësishëm.

“Për momentin, mendoj se ai është më i miri në botë. Edhe pse i kanë munguar trofetë, ajo që ka arritur individualisht është mbresëlënëse. Mendoj se Topi i Artë duhet t’i takojë atij”, deklaroi Nzonzi.

Megjithatë, francezi theksoi se Mbappé ende nuk ka arritur nivelin e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.

“Ai është në rrugën e duhur, por ende nuk është në atë nivel. Ata janë legjenda të vërteta, që kanë fituar gjithçka, si individualisht ashtu edhe kolektivisht. Mbappé ka ende shumë për të dëshmuar. Koha do ta tregojë”, u shpreh ai.

Olise në nivelin e Yamalit

Nzonzi u ndal edhe te Michael Olise, për të cilin beson se është në të njëjtin nivel me yllin e Barcelonës, Lamine Yamal.

“Po, e besoj plotësisht. Ata janë dy anësorët më të mirë në botë. Të dy janë yje, bëjnë diferencën dhe janë lojtarë spektakolarë. Mendoj se aktualisht janë në të njëjtin nivel”, deklaroi ish-mesfushori.

Në fund, Nzonzi vlerësoi edhe Rodrin, duke e cilësuar si mesfushorin më të mirë në pozicionin e tij.

“Ai është shumë inteligjent dhe i shkëlqyer në çdo aspekt. E kontrollon mesfushën si pak të tjerë. Mendoj se aktualisht është më i miri në pozicionin e tij”, përfundoi Nzonzi. /Zëri