Ronaldo e mposhti Messin në votimin historik të Topit të Artë, ky është reagimi i CR7
Cristiano Ronaldo është shpallur fitues i votimit për Balonin e Artë më të mirë të të gjitha kohërave, në një iniciativë të organizuar nga France Football.
Versioni i portugezit i vitit 2008, kur luante për Manchester Unitedin, u votua si më i miri, duke lënë pas Lionel Messin me çmimin e vitit 2012.
Në vendin e tretë u rendit sërish Ronaldo, me edicionin e vitit 2017.
Pas këtij rezultati, portugezi reagoi në rrjetet sociale me një mesazh për tifozët.
“Futbolli u përket tifozëve! Faleminderit të gjithë tifozëve nga e gjithë bota. Topi i Artë i të gjitha kohërave është edhe i juaji”, shkroi Ronaldo.
Në sezonin 2007/08, Ronaldo shënoi 42 gola në të gjitha garat me Manchester Unitedin, fitoi Premier League dhe Ligën e Kampionëve, duke siguruar Topin e parë të Artë në karrierën e tij.
Votimi B.O.A.T. ishte një iniciativë simbolike për të përcaktuar versionin më të mirë të fituesve historikë të Topit të Artë. Ky vlerësim nuk përbën një trofe të ri zyrtar për Ronaldon. /Zëri