Raphinha pas vazhdimit të kontratës: Do të doja ta përfundoja karrierën te Barcelona

Raphinha pas vazhdimit të kontratës: Do të doja ta përfundoja karrierën te Barcelona

Sport November 05, 2026 - 14:43

Raphinha ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Barcelonën deri në vitin 2030. Kapiteni brazilian, 29-vjeçar, nuk e fshehu kënaqësinë për vazhdimin e aventurës në “Camp Nou”, duke shprehur dëshirën që të qëndrojë në klub deri në fund të karrierës.

“Është një ndjenjë krenarie e madhe për mua dhe familjen time. Vetëm ne e dimë se çfarë kemi kaluar. Ndihem shumë krenar për gjithçka që kam arritur, individualisht dhe kolektivisht. Shpresoj të kem edhe shumë vite këtu. Nëse këmbët më lejojnë të vazhdoj në nivel të lartë, do të më pëlqente ta përfundoja karrierën në këtë klub”, deklaroi Raphinha.

Braziliani theksoi se dëshiron të mbahet mend për trofetë që do të fitojë me Barcelonën, duke veçuar Ligën e Kampionëve si një prej objektivave kryesorë.

“Objektivi im është t'i fitoj të gjithë titujt e mundshëm. Liga e Kampionëve është një trofe që duam ta fitojmë dhe po bëjmë gjithçka për ta arritur këtë. Dua t'i fitoj të gjithë titujt e mundshëm deri në vitin 2030”, u shpreh ai.

Raphinha foli edhe për rrugëtimin e tij te Barcelona, duke kujtuar se nuk ka qenë gjithmonë e lehtë të arrinte këtë status që gëzon sot.

“Që nga dita e parë kam dhënë më të mirën. Ndoshta nuk i kam pasur rezultatet që njerëzit prisnin prej meje, por unë e dija se çfarë mund të bëja. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të mendosh si t'i ndryshosh. Gjithmonë kam dhënë jetën në fushë, me intensitet”, tha braziliani.

Ai pranoi gjithashtu se është befasuar nga numri i golave që ka realizuar pas përshtatjes në pozitën e sulmuesit qendror. /Zëri