Te Zvicra thonë se s’ka vend për Lutfi Dalipin, i hapen dyert Kosovës

Te Zvicra thonë se s’ka vend për Lutfi Dalipin, i hapen dyert Kosovës

Sport November 10, 2026 - 09:13

Lutfi Dalipi nuk do ta vazhdojë karrierën ndërkombëtare me përfaqësuesen e Zvicrës.

Futbollisti i Young Boysit, i cili këtë sezon është i huazuar te Vaduzi, ka vendosur që në të ardhmen ta përfaqësojë Kosovën ose Shqipërinë.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i përfaqësueses zvicerane, Pierluigi Tami, i cili pas dy ndeshjeve të fundit të Ligës së Kombeve do ta përfundojë mandatin e tij.

Tami ka treguar se Dalipit i janë shpjeguar perspektivat e tij në ekipin kombëtar, por konkurrenca në repartin e tij është shumë e madhe, shkruajnë mediat zvicerane.

“Ne ia përshkruam perspektivat e tij të ardhshme”, ka deklaruar Tami, duke i përmendur Johan Manzambin, Fabian Riederin dhe Alvyn Sanchesin si konkurrentë të fortë.

“Nëse duam ta marrim Dalipin me vete, duhet ta lëmë njërin prej tyre në shtëpi. Mund ta kuptoj që Murat Yakin nuk ka vend për të”, shtoi ai.

Për Dalipin dje në konferencë për shtyp foli edhe selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda.

“Kemi pasur kontakte me Dalipin, kam biseduar me të në telefon. Ai nuk ka vendosur ende se për cilën kombëtare dëshiron të luajë. Ne na mbetet të presim derisa ta marrë një vendim, shpresoj që ai të vendosë për Kosovën”, u shpreh trajneri gjerman. /Zëri