Dajaku: Kjo Federatë me udhëheqës pakurrizorë tenton ta nxjerrë qytetarin e saj si shpellar
Taulant Dajaku ka reaguar ashpër ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës, pas publikimit të masave të sigurisë dhe listës së gjërave të ndaluara në stadium, para ndeshjes së Kosovës me Izraelin.
Përmes një postimi në Facebook, Dajaku e ka kritikuar FFK-në për mënyrën se si, sipas tij, po i paraqet qytetarët e Kosovës, duke e akuzuar institucionin se po tenton ta nxjerrë popullin e vet si të pacivilizuar.
Ai ka përmendur edhe reagimet solidarizuese të qytetarëve ndaj vrasjeve të fëmijëve dhe gjenocidit, duke theksuar se këto janë reagime njerëzore dhe jo domosdoshmërisht politike.
“Ja si duket një Federatë me udhëheqës pakurrizorë që tenton ta nxjerrë qytetarin e saj si shpellar, që gjoja herave të tjera kemi marrë armë në stadium dhe tash i ndaluan”, ka shkruar Dajaku.

Ai ka përmendur edhe shembujt e Skocisë dhe Irlandës, duke thënë se në vende të ndryshme të botës reagimet në shenjë solidariteti ndaj vuajtjeve njerëzore nuk trajtohen në këtë mënyrë.
Në fund të reagimit të tij, Dajaku ka shprehur pakënaqësinë e madhe ndaj qasjes së Federatës. /Zëri