Gjobitet me 200 euro një qytetar për hedhje të paligjshme të mbeturinave vëllimore në Prishtinë
Inspektorati i Kryeqytetit ka shqiptuar një gjobë prej 200 eurosh ndaj një qytetari, pasi është konstatuar se ka hedhur mbeturina vëllimore në kundërshtim me rregulloret në fuqi.
Sipas njoftimit, inspektimet në terren po zhvillohen në baza ditore, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se të gjithë shkelësit do të përballen me masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.
“Inspektimet në terren po vazhdojnë çdo ditë dhe secili shkelës do të përballet me masa ndëshkuese”, thuhet në njoftim.
Inspektorati u ka bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së kryeqytetit, duke theksuar se kujdesi për ambientin është përgjegjësi e përbashkët.
“Ta mbajmë Kryeqytetin të pastër, përgjegjësia është e përbashkët”, theksohet në njoftim. /Zëri