Nis Testi i Maturës Shtetërore, MASHTI paralajmëron masa të rrepta për shkelësit
Mbi 19 mijë maturantë i janë nënshtruar sot Testit të Maturës Shtetërore në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin, ndërsa autoritetet arsimore kanë paralajmëruar masa të rrepta ndaj çdo forme të keqpërdorimit gjatë procesit.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se në testim po marrin pjesë 19,514 nxënës, ndërsa procesi po administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve.
Drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Betim Sylejmani, tha se qendra e testimit është përgatitur për zhvillimin e provimit dhe se procesi ka nisur pa probleme.
“Po, qendra e testimit është e gatshme për pranimin e nxënësve për testim. Gjithçka është duke shkuar deri më tani në rregull. Po ajo është kompetencë e administruesve brenda klasës se si ata e menaxhojnë atë klasë, atë qendër testimi. Dhe natyrisht, së fundi, Ministria e Arsimit ka nxjerrë edhe ligjin për maturën shtetërore ku dënimet janë shumë të rrepta, dhe gjithsesi secili administrues duhet të ketë kujdes në mbarëvajtjen e këtij procesi. Dikun 150 nxënës”, tha Sylejmani.
Sipas Ministrisë së Arsimit, Testi i Maturës Shtetërore 2026 zhvillohet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë kandidatët.
Testi përmban 100 kërkesa, përkatësisht 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë kandidati.
MAShTI ka rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është i ndaluar.
“Rikujtojmë se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar. Çdo kandidat/e që konstatohet se posedon telefon ose pajisje tjetër elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit./EO