KPK-ja dorëzon në Presidencë nominimin e Zejnullah Gashit për kryeprokuror të Shtetit
Foto: Laura Hasani

KPK-ja dorëzon në Presidencë nominimin e Zejnullah Gashit për kryeprokuror të Shtetit

Aktuale July 13, 2026 - 14:45

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri të Shtetit ka hyrë në fazën e radhës.

Pas takimit të mbajtur sot, KPK-ja ka dorëzuar edhe zyrtarisht në Presidencën e Republikës së Kosovës nominimin për Zejnullah Gashin për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.

“Nominimi i është përcjellë Shkëlqesisë së Saj, Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, së bashku me dokumentacionin e plotë që ka shoqëruar tërë procesin e përzgjedhjes që nga hapja e procedurës e deri te vendimmarrja përfundimtare e KPK-së”, thuhet në njoftim.

Me dorëzimin e nominimit dhe dokumentacionit përkatës, procedura kalon në fazën e trajtimit nga Presidenca, ndërsa hapat e mëtejshëm do të zhvillohen në përputhje me kompetencat dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.