Regjistrimi online në shkollat e mesme të Prishtinës, Elshani: Proces më transparent dhe meritokratik
Komuna e Prishtinës ka lansuar për herë të parë këtë vit një platformë online për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme.
Ky vendim është marrë në mënyrë që procesi i aplikimit të bëhet më i lehtë, më transparent dhe të bazuar në meritë, duke reduktuar njëkohësisht barrën administrative për stafin e shkollave.
Kështu ka thënë drejtori i Arsimit në kryeqytet, Arianit Elshani.
“Realisht, softueri ka qenë i përgatitur nga mësimdhënësit e shkollave, konkretisht nga shkolla e mesme 'Xhevdet Doda', në pothuajse në secilën shkollë që e kam vizituar përgjatë këtyre dy muajve që kam marrë mandatin, kam parë softuerë të ndryshëm, të cilët i përdorin, që i kishin krijuar për nevojat e tyre të brendshme, për administrim më të lehtë nga shkolla në shkollë. Edhe sigurisht pastaj meqenëse e pashë edhe është e domosdoshme që të lehtësohet barra administrative për secilin mësimdhënës edhe staf drejtues të secilës shkollë, në këtë rast drejtorët, zëvendësdrejtorët, sekretarët dhe të gjithë të tjerët. Por edhe të lehtësohet aplikimi për nxënësit, por edhe të ofrohet transparencë edhe të kemi përzgjedhje meritokratike në secilën prej këtyre shkollave. Atëherë kjo ka qenë shtysja për të cilën e kemi implementuar kësaj radhe, digjitalizimin e aplikimit”, tha ai.
Sa iupërket sfidave, Elshani tha se kanë qenë problemet teknike, të cilat janë shqyrtuar gjatë afatit të aplikimit.
“Po, ka pasur sfida që kanë qenë teknike lidhur me softuerin, po të cilat janë përmirësuar gjatë ditëve të aplikimit, pra gjatë asaj periudhës që kanë qenë hapur, janë përmirësuar gjatë tërë kohës sigurisht. Kësaj radhe ka qenë një farë lloj pilotimi meqënëse aplikimi është bërë edhe në formë fizike, janë verifikuar të dhënat në qoftë se të njëjtat korrespondojnë me aspektin digjital edhe sigurisht këto në momentin që po i përputh të dhënat fizike me ato elektronike, janë proceduar tutje për për shqyrtim nga secila shkollë, në secilin komision”, u shpreh ai.
Elshani theksoi se kësaj radhe janë siguruar që vetëm qyetatrët e Komunës së Prishtinës të regjistrohen në shkollat e mesme, derisa statistikat se cila shkollë ka pasur më shumë aplikantë janë duke u mbledhur.
“Këto statistikisht jemi duke i mbledhur, pra, sot gjatë ditës janë duke u pranuar raportet nga secila shkollë lidhur me aplikimet. Por edhe pjesa tjetër, meqenëse tashmë aplikimet kanë qenë të rregulluara që në kuptimin, që nuk ka mundur me pasë diku aplikime përderisa nuk i ke plotësuar kriteret dhe kërkesat e secilës shkollë, prandaj kështu është kufizuar. Por edhe aspekti tjetër që mendoj që është e mirë kësaj radhe që jemi siguruar që të regjistruarit në shkollat e mesme të jenë vetëm banorë, qytetarë në këtë rast të Komunës së Prishtinës dhe asnjë komune tjetër. Në fund ne edhe si mjetet financiare që i marrim prej Ministrisë së Arsimit, por edhe pjesa tjetër e gjithë obligimeve, të hyrave që krijohen nga Komuna e Prishtinës janë nga banorët e Prishtinës, prandaj edhe shkollat tona duhet të jenë për banorët e Prishtinës”, shtoi ai për Ekonominë Online.
Kurse, për implementimin e formës digjitale për regjistrim, pa pasur nevojë të dorëzohen dokumentet në mënyrë fizike, drejtori tha se në momentin që ndryshohet ligji, Drejtoria e Arsimit do fillojë me digjitalizimin e këtij procesi në tërësi.
“Për këto sigurisht nevojitet të ndryshohet edhe baza ligjore e juridike, në këtë rast ligji, udhëzimet administrative dhe të gjitha aktet e tjera juridike, kështu që në momentin që ato na hapin rrugë që shërbimet të digjitalizohen, ne do t’i digjitalizojmë në tërësi. Por, ajo se çka do të ndjekim si Drejtori e Arsimit, do të ndjekim që secili shërbim paralelisht të digjitalizohet, pra të kemi platforma elektronike të aplikimit, për kopshte, për pagesat e kopshteve në formë elektronike, për regjistrim në klasë të parë në formë elektronike pastaj për regjistrim në klasë të dhjetë në formë elektronike, por edhe komunikimi në mes të prindit dhe mësimdhënësit të jetë në kuadër të softuerëve, pra që ta lehtësojë edhe menaxhimin, pastaj edhe nga Drejtoria e Arsimit por edhe për secilën shkollë e që mendoj që është një sfidë e veçantë për Drejtorinë e Arsimit sot në Prishtinë për shkak të databazave të ndryshme dhe për shkak të komunikimeve fizike që shpesh ndodhin me secilën shkollë”.
“Por, unë i gëzohem shumë faktit edhe një herë që nxënësit nuk kanë pasur nevojë më të presin për orë të tëra para shkollave të tyre, që kanë dashur me apliku, por në anën tjetër edhe puna e mësimdhënësve të lehtësohet, pra të reduktohet kjo barrë administrative për shkak të platformës digjitale që e kemi lansuar”, tha ai.
Aplikimi online për regjistrim në shkollim të mesëm të lartë në Prishtinë ka filluar më shtatë korrik të këtij viti dhe ka përfunduar më 9 korrik në orën 16:00.