Bajrami: Alarm gjendja në shëndetësi, pas saj qëndrojnë keqqeverisja dhe korrupsioni
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër gjendjen në sistemin shëndetësor, duke e cilësuar atë si pasojë të keqqeverisjes dhe korrupsionit.
Sipas saj, qytetarët nuk duhet ta gjykojnë gjendjen e shtetit nga konferencat për media ose statistikat zyrtare, por nga kushtet në spitalet publike.
“Nëse doni ta dini çfarë shteti kemi, mos e gjykoni nga konferencat për media, nga shifrat që qeveritarët i prezantojnë çdo ditë... Pyetni të sëmurët. Shkoni në Pediatri, Gjinekologji, Onkologji, Ortopedi dhe Emergjencë”, shkroi Bajrami.
Ajo tha se mjekët dhe infermierët nuk duhet fajësuar, pasi sipas saj ata punojnë në kushte shumë të vështira dhe po e mbajnë në funksion sistemin shëndetësor.
Bajrami ka akuzuar Qeverinë se, pavarësisht buxhetit prej rreth katër miliardë eurosh në vit dhe gjashtë viteve në pushtet, nuk ka arritur të përmirësojë gjendjen në shëndetësi.
Sipas saj, problemet lidhen me mënyrën e menaxhimit të tenderëve publikë.
“Gjendja në shëndetësi ka emër: emri i saj është ‘korrupsion’”, deklaroi ajo, duke pretenduar se ka keqmenaxhim në tenderët për pastrim, çarçafë, ushqim dhe barna.
Deputetja e LDK-së ka përmendur edhe raportimet për mungesën e barnave për trajtimin e kancerit të gjirit në QKUK, duke thënë se pacientët detyrohen t’i blejnë vetë ato.
Në fund, Bajrami ka fajësuar pushtetin për situatën aktuale në sektorin e shëndetësisë.
“Gjashtë vjet keqqeverisje. Gjashtë vjet korrupsion. Gjashtë vjet mashtrim... Sot gjendja në shëndetësi është alarm, sepse kur dështon shëndetësia, nuk dështon vetëm qeveria, dështon shteti”, shkroi ajo. /Zëri