Dy majorë të FSK-së diplomojnë me sukses në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar

Dy majorë të FSK-së diplomojnë me sukses në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar

Aktuale July 14, 2026 - 10:48

Dy oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), major Afrim Xhelili dhe major Besnik Thaqi, kanë përfunduar me sukses të lartë Kursin e Avancuar të Komandës dhe Shtabit (Advanced Command and Staff Course – ACSC) në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar në Shrivenham.

Përveç përfundimit të këtij programi, dy majorët kanë fituar edhe titullin Master në Studimet e Mbrojtjes nga King's College London.

Sipas njoftimit të FSK-së, kursi synon edukimin dhe zhvillimin e oficerëve të mesëm dhe të lartë për detyra komanduese dhe shtabore në nivel strategjik dhe operacional. Programi i përgatit pjesëmarrësit për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake komplekse, bashkëpunimin me agjenci qeveritare dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe përdorimin efektiv të instrumenteve të fuqisë kombëtare në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë.

Në edicionin e këtij viti të kursit morën pjesë mbi 240 oficerë nga Mbretëria e Bashkuar dhe 47 shtete të tjera të botës.

FSK-ja vlerësoi se diplomimi i majorëve Afrim Xhelili dhe Besnik Thaqi në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për ndërtimin e një force moderne, të aftë dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare. /Zëri