Burim Ramadani kërkon largimin e pranisë statike të KFOR-it nga ura e Ibrit

Burim Ramadani kërkon largimin e pranisë statike të KFOR-it nga ura e Ibrit

Aktuale August 04, 2026 - 14:18

Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka kërkuar largimin e pranisë statike të misionit të KFOR-it nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ramadani tha se ka ardhur koha që pjesëtarët e KFOR-it të mos qëndrojnë më në mënyrë statike në këtë pikë.

“Ura e Mitrovicës simbol mirëbesimi, të largohet prania statike e KFOR. Ka ardhur momenti që prania statike e KFOR-it në urën kryesore të Mitrovicës të largohet”, shkroi ai.

Sipas Ramadanit, një vendim i tillë nuk do të nënkuptonte ulje të nivelit të sigurisë.

“Jo si dobësim i sigurisë, por si hap përpara. Sepse, kushtet janë përmbushur”, është shprehur ai.

Ura kryesore mbi lumin Ibër vazhdon të mbetet një nga pikat më të ndjeshme në veri të Kosovës, ku KFOR-i mban prani të vazhdueshme në kuadër të misionit për ruajtjen e një mjedisi të sigurt.