51 ditë nga zhdukja e Xhafer Raçit, ende asnjë gjurmë

51 ditë nga zhdukja e Xhafer Raçit, ende asnjë gjurmë

Aktuale August 22, 2026 - 20:41

Këto janë pamjet ku Xhafer Raçi shihet për herë të fundit.

Që nga dy korriku, nuk ka asnjë gjurmë të 78-vjeçarit nga Prishtina.

51 ditë, janë shumë për vëllaun e tij, Beqirin.

“Me anë të kamerave të rrugëve përkatëse, ne kemi ardhë tek pika përfundimtare e datës dy korrik, rreth orës 13:00, në rrugën “Qëndresa” rruga që çon për Butovc. Atje i ka lanë papuçet edhe aty është pa për herë të fundit dhe nga ai moment, prej dy korrikut ora 13:00 deri më sot, na nuk kemi asnjë informacion tjetër, asnjë lajm tjetër, asnjë pistë tjetër, asnjë shenjë tjetër se në çfarë drejtimi ka ecë”, deklaroi Beqir Raçi.

Xhafer Raçi vuan nga sëmundja e harresës, por vëllau i tij thotë se kjo ishte hera e parë që ai u largua nga shtëpia pa dijeninë e familjarëve të tjerë.

“Hera e parë dhe e rastësishme që ka dalë, edhe me siguri është e pavetëdijshme. Ai sipas disa informatave që i kemi dhe nga ana e kamerave shihet se ai ka tentu m’u kthy tek udhëkryqi i Matiqanit”, theksoi ai.

Për 78-vjeçarin, Policia në bashkëpunim me Shoqatën e Kërkim Shpëtimit ka zhvilluar disa herë kërkime për Raçin.

Ata kërkojnë bashkëpunim me qytetarët që të lajmërohen tek organet e rendit për çdo informacion që mund të kenë.

Familja Raçi përkundër kohës së kaluar, nuk i ka të shuara shpresat se do ta gjejnë familjarin e tyre.

“Kurrë, asnjëherë nuk i humbim shpresat se do të vijmë deri tek një rezultat dhe do ta gjejmë atë. Për fatin e tij, veç Zoti e di në çfarë gjendje mundet me qenë. Por, 51 ditë ankth, dhimbje edhe pasiguri janë të mëdha për ne si familje për familjarin tonë të humbur”, përfundoi Beqir Raçi.

Për çdo informacion, familja Raçi ka lënë edhe numra kontakti që të lajmërohen personat që kanë ndonjë informacion për 78-vjeçarin.