Sinani godet Vuçiqin pas vizitës në Preshevë: Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë

Sinani godet Vuçiqin pas vizitës në Preshevë: Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë

Aktuale August 22, 2026 - 21:44

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pas vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Preshevë, duke kërkuar trajtim të barabartë të qytetarëve shqiptarë dhe investime pa dallime etnike.

Sinani në një postim në Facebook ka thënë se çdo investim në vendbanimet e komunës është i mirëseardhur, por ka theksuar se Presheva nuk mund të trajtohet me “dy standarde”.

“Presheva nuk është vetëm një pjesë e hartës që vizitohet kur dikujt i duhet. Presheva është shtëpia e qytetarëve që kërkojnë të njëjtën vëmendje, të njëjtat të drejta dhe të njëjtin trajtim nga shteti”, ka shkruar ajo.

Sinani ka përmendur investimet e Komunës në Mamincë dhe Svinjishtë, duke thënë se pushteti lokal nuk i ndan qytetarët sipas përkatësisë etnike.

Sinani ka thënë se i njëjti standard duhet të zbatohet edhe nga institucionet qendrore të Serbisë.

Ajo tha se Komuna ka kërkuar zyrtarisht investime për Shkollën “Prof. Ibrahim Kelmendi”, shkollën në Mamincë, çerdhen “8 Marsi” dhe projekte të tjera, ndërsa ka ngritur pyetjen pse kërkesat që prekin qytetarët shqiptarë duhet të presin me vite.

“Pse qytetarët shqiptarë duhet të presin me vite për përgjigje, projekte dhe investime nga institucionet qendrore?”, ka pyetur Sinani.

Kryetarja e Preshevës tutje ka theksuar se nuk kundërshton investimet në zonat e banuara nga komunitetet e tjera, por kërkon që zhvillimi të bëhet mbi bazën e barazisë.

“Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë barazi. Nuk kërkojmë më shumë se të tjerët. Kërkojmë të mos marrim më pak”, ka deklaruar ajo.

Sinani ka porositur Vuçiqin, Qeverinë dhe institucionet e Serbisë se Presheva është e gatshme për bashkëpunim, por jo për të heshtur përballë diskriminimit.

“Shqiptarët e Preshevës janë këtu. Janë qytetarë. Kanë nevoja. Kanë të drejta. Dhe nuk do të pranojmë të trajtohemi si qytetarë të dorës së dytë ose që nuk ekzistojnë fare”, ka thënë Sinani.