Pal Lekaj jashtë vendit, shtyhet seanca për hedhje të gazit lotsjellës në vitin 2015 në hollin e Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Pal Lekaj jashtë vendit, shtyhet seanca për hedhje të gazit lotsjellës në vitin 2015 në hollin e Kuvendit

Aktuale August 27, 2026 - 11:02

Në mungesë të ish-deputetit Pal Lekaj, i cili ndodhej jashtë vendit dhe mbrojtësit të tij, avokatit Musa Damati, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Lekaj ngarkohet për hedhje të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës më 30 nëntor 2015.

Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarja e rastit, Edita Çanta, deklaroi se mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Musa Damati, me anë të parashtresës e ka njoftuar Gjykatën se Lekaj nuk mund të jetë prezent në seancën e së enjtes, andaj ka kërkuar që të shtyhet për një datë tjetër.

“Mungon i pandehuri Pal Lekaj me avokatin e tij i cili me anë të parashtresës e ka njoftuar gjykatën që nuk mund të prezantojnë në seancë pasi që i pandehuri gjendet jashtë shtetit për arsye objektive të agjendës së tij private”, tha gjyqtarja Çanta.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për një datë tjetër.

Prezent në shqyrtim gjyqësor ishte vetëm prokurori Dardan Çela.

Në seancën e mbajtur më 30 prill 2025, Lekaj ishte deklaruar i pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 qershor 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka përdorur armën - gazin lotsjellës.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, për disa minuta është ndërprerë puna në Kuvend për shkak të kontaminimit të ambientit dhe se deputetët e të pranishmit e tjerë janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

Me këtë, Lekaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga Neni 375, par. 2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet.