Fushë-Kosova i shton drejtoritë, pavarësisht kundërshtimit nga opozita
Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës ka miratuar sot propozimin për shtimin dhe riorganizimin e drejtorive komunale, raporton Klan Kosova.
Ndryshimet parashohin ndarjen e Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport në dy drejtori, si dhe ndarjen e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në dy drejtori.
Ndërkohë, një prej pikave që ka shkaktuar kundërshtime nga opozita është krijimi i Drejtorisë për Parqe.
Sipas opozitës, kjo drejtori është e panevojshme, pasi mirëmbajtja e hapësirave publike dhe parqeve mund të mbulohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.
Po ashtu, është ngritur argumenti se Komuna e Fushë Kosovës tashmë ka themeluar ndërmarrjen lokale Fushë Kosova, e cila, ndër të tjera, ka përgjegjësi për mirëmbajtjen e hapësirave dhe parqeve.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, propozimi për shtimin dhe riorganizimin e drejtorive është miratuar sot në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës me 17 vota për, përfshirë edhe një votë nga Lista Serbe.