Afati i dytë i Testit të Maturës të shtunën, kërkohen masa më rigoroze
Të shtunën do u drejtohen sërish bankave të shkollës.
Por këtë herë, për t’u testuar për atë se çfarë mësuan.
Afër 5 mijë maturantë, këtë vikend do t’i nënshtrohen Testit të Maturës për të dytën herë.
Afati i dytë do të mbahet në 55 qendra testimi.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se përmes platformës e-Kosova, kanë aplikuar gjithsej 5,033 kandidatë për Provimin e Maturës, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4,967 aplikime. Provimi do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00, në 55 qendra të testimit”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.
Edhe këtë herë, nga MASHTI kërkuan që të respektohen të gjithë udhëzimet.
Megjithatë, sipas njohësve, sfidë mbetet kopjimi.
“Problem është se si të pengohet futja e telefonave në klasë, sepse vetëm një telefon nëse depërton, po i duhen 30 sekonda deri sa të kopjojë, ta qesin jashtë. Një vetëdijësim më i lartë i administruesve që marrin pjesë aty edhe pse ata mësimdhënës janë vet, por megjithatë ka një numër nga ta që nuk janë të ndërgjegjshëm për misionin që e kanë në këtë rast. Do ishte më e mira që Ministria të bashkëpunojë me shpërndarësit e rrjetit, që në ato raste ta ndërpres internetin. Po një mundësi e tillë është goxha problematike për shkak se ato janë çështje biznesore edhe nuk mund të ndalin pa ndonjë shpërblim apo dëmshpërblim”, thotë njohësi i arsimit, Ismet Potera.
Pavarësisht kësaj, njohësi i arsimit Ismet Potera, heqjen e Testit të Maturës nuk e sheh zgjidhje.
“Nëse ndërprehet Testi i Maturës, atëherë ne po dorëzohemi para problemit, nuk po bëjmë përpjekje me zgjidh, por po dorëzohemi se po kopjojnë. Unë mendoj që duhet ta luftojmë këtë dukuri të kopjimit”, bën të ditur ai.
Në anën tjetër, përparim gradual të mbarëvajtjes po sheh ish zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj.
“Në përgjithësi në vitet e fundit ka një përmirësim gradual të cilësisë së administrimit të Testit të Maturës dhe kjo shprehet edhe në rastet që po zihen edhe që po anulohen testet e disa nxënësve, por edhe administratorët që po zihen në vepër me telefona që po konfiskohen, edhe rezultati i përgjigjëm nga Testi i Maturës, mesatarja është shumë më afër reales se sa më herët që ishte 70-80%, prandaj unë e shoh si një proces në përparim”, theksoi Rexhaj.
Në afatin e parë të Testit të Maturës të mbajtur më 20 qershor, ende pa kaluar gjashtë minuta, testi qarkulloi në rrjete sociale.
Me Ligjin e ri për provimin e Maturës Shtetërore, i cili ka hyrë në fuqi këtë vit, masat ndëshkuese për shkelësit e rregullave parashihen nga 1 mijë deri në 20 mijë euro./teve1