Jashari kërkon shfuqizimin e Gjykatës Speciale: Kuvendi ta miratojë sot Ligjin në lexim të dytë
Foto: Laura Hasani

Jashari kërkon shfuqizimin e Gjykatës Speciale: Kuvendi ta miratojë sot Ligjin në lexim të dytë

Aktuale October 06, 2026 - 12:29

Përfaqësuesi i OVL UÇK-së, Xhavit Jashari, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të miratojë sot ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara edhe në lexim të dytë, duke propozuar që në të të përfshihet një nen për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Jashari ka thënë se kjo kërkesë është ngritur nga qytetarët dhe protestuesit pas vendimit përfundimtar dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Image

“Që nga data kur u mor verdikti përfundimtar që solli një dënim të rëndë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sheshet janë të mbushura me një kërkesë jo në emrin tim, i ri çlirimtarëve dhe kërkesa e të gjithë neve që sot jemi bashkë në të gjitha protestat, ka qenë thirrje për bashkim, thirrje për unifikim dhe vendim në të drejtën tonë”, tha ai.

Image

Ai ka thënë se, sipas tyre, institucionet dhe deputetët e Kuvendit duhet të marrin vendim për miratimin e ligjit dhe kalimin e tij në lexim të dytë.

“Pra, e drejta jonë, e sidomos e institucioneve dhe deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës është që ta marrin vendimin e duhur. Dhe ai vendim nga kërkesat e qytetarëve, popullit të gjithandej është që sot të vendoset, të sillet ligji dhe të kalojë edhe në leximin e dytë, pra, me një nen ku e shfuqizon Gjykatën Speciale”, tha ai.

Jashari e ka akuzuar Gjykatën Speciale se ka goditur krerët e UÇK-së, luftën e saj dhe, sipas tij, shtetësinë e Kosovës.

“Këtë gjykatë e cila goditi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me akuza të pabëra. Këtë gjykatë e cila goditi në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë gjykatë e cila goditi në historinë e popullit dhe kombit shqiptar, e mbi të gjitha goditi në shtetësinë e Kosovës. Nga ky vend, ju bëj thirrje edhe Policisë së Kosovës dhe atyre të cilët japin urdhra që mos të teprojnë sepse kemi informacione që kemi të lënduar një numër bukur të madh, kemi veteranë të cilët i kanë marrë sot në polici dhe kemi informacione që po shkojnë edhe në shtëpitë e tyre. Do të qëndrojnë këtu derisa të thirret seanca dhe të merret vendimi”, tha ai.