Aleanca kërkon votimin e ligjit
Deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, u bëri thirrje deputetëve të mblidhen në Kuvend dhe t’i votojnë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Deputetët duhet të vijnë në Kuvend dhe ta votojnë ligjin. Kjo është përgjegjësia jonë”, tha Berisha në një konferencë për gazetarë.
Ramush Haradinaj, po nga Aleanca, tha se nuk ka marrë ndonjë ftesë për seancë të Kuvendit, pavarësisht raportimeve se gjatë ditës mund të thirret një e tillë.
Më pas, ai dhe deputetë të tjerë të Aleancës dolën para Kuvendit për t’i përshëndetur dhe falënderuar, siç tha, protestuesit që po kërkojnë votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Jemi në Kuvend, kanë mbetur edhe 11 orë. Si Aleancë, ju bëjmë thirrje kolegëve të vijnë dhe t’i kryejnë detyrat që na i ka dhënë populli. Populli që u bashkua me UÇK-në. Jemi një me çlirimtarët. Jemi me zemër me ju”, tha ai, duke i përshëndetur protestuesit.
