Gërvalla: Parandalimi i dhunës ndaj grave kërkon veprim dhe përgjegjësi
Foto: Laura Hasani

Gërvalla: Parandalimi i dhunës ndaj grave kërkon veprim dhe përgjegjësi

Aktuale October 10, 2026 - 13:44

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, njëherësh Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, ka shprehur dhimbjen dhe indinjatën e thellë për ngjarjen e djeshme, vrasjen e një gruaje dhe vëllait të saj në Livoç të Ulët të Gjilanit.

“Dita e djeshme ishte e kobshme. Edhe një grua u vra nga bashkëshorti i saj. Edhe një familje u godit nga një tragjedi e pariparueshme”, shprehu ajo.

Ministrja Gërvalla theksoi se parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e jetës së grave kërkojnë veprim dhe përgjegjësi të vazhdueshme, jo vetëm reagim pas tragjedive.

“Nuk guxojmë të presim që gratë të vriten për të reaguar. Detyrimi ynë është të veprojmë, të parandalojmë dhe të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë.”

Ajo nënvizoi se vrasja e grave nuk mund të trajtohet si një ngjarje e pashmangshme, por si një krim i rëndë ndaj të cilit kemi detyrim të veprojmë për ta parandaluar.

“Vrasja e grave është krim, aq i rëndë dhe i tmerrshëm sa asnjë shoqëri nuk mund ta trajtojë si të pashmangshëm atë që ka detyrim ta parandalojë.”

Në fund, Ministrja Gërvalla u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave.