“Shikim i turbullt dhe djegie e syve”, mjekja pediatre tregon pasojat e gazit lotsjellës

“Shikim i turbullt dhe djegie e syve”, mjekja pediatre tregon pasojat e gazit lotsjellës

Aktuale October 19, 2026 - 08:01

Ekspozimi ndaj gazit lotsjellës dhe sprajit me piper mund të shkaktojë irritime të syve, lëkurës dhe rrugëve të frymëmarrjes. Mjekja pediatre Lori Gjoni, ngriti shqetësimin për pasojat shëndetësore te të rinjtë dhe adoleshentët, të cilët janë ekspozuar ndaj këtyre substancave gjatë protestave në Tiranë.

Sipas mjekes, kontakti me gazrat irritues mund të shkaktojë shikim të turbullt, djegie, lotim dhe ndjesinë e pranisë së një trupi të huaj në sy. Ndërsa në lëkurë, këto substanca mund të shkaktojnë djegie, irritime dhe reaksione alergjike, ndërsa në rrugët e frymëmarrjes mund të sjellin vështirësi respiratore.“Shikimi i turbullt, ndjesia e djegies dhe lotimi” janë ndër shqetësimet që mund të shfaqen pas kontaktit të syve me gazrat, u shpreh mjekja në A2 CNN, duke theksuar se vlerësimi i dëmtimeve specifike okulare duhet të kryhet nga mjeku specialist.

Mjekja Gjoni paralajmëroi se ekspozimi i përsëritur, veçanërisht për periudha të gjata, mund të përkeqësojë problemet shëndetësore. Ajo theksoi se personat me probleme kronike të aparatit të frymëmarrjes mund të jenë më të rrezikuar nga komplikacionet.

Ajo bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe shmangien e ekspozimit të të rinjve ndaj substancave irrituese, duke e vënë theksin te mbrojtja e shëndetit.