303 të lënduar në gjashtë ditë protesta, thotë Spahiu

303 të lënduar në gjashtë ditë protesta, thotë Spahiu

Aktuale October 19, 2026 - 14:10

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka bërë thirrje për më shumë kujdes dhe mbrojtje ndaj fëmijëve dhe të rinjve, në një kohë kur protestat e ditëve të fundit në Tiranë janë shoqëruar me një numër të konsiderueshëm personash të lënduar.

Gjatë një vizite në Spitalin Universitar të Traumës, Spahiu theksoi rëndësinë e komunikimit me të miturit, dëgjimit të shqetësimeve të tyre dhe garantimit të sigurisë së tyre në situata të vështira.

“U bëj thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe të gjithë profesionistëve që të flasin me fëmijët dhe të rinjtë, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre. Fëmijët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por kanë nevojë edhe për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen tonë”, u shpreh ministrja.

Ajo nënvizoi se mbrojtja e të miturve është përgjegjësi e përbashkët dhe bëri të ditur se shërbimet sociale dhe psikologët janë të angazhuar për të mbështetur fëmijët që kanë nevojë për ndihmë.

Spahiu u bëri thirrje qytetarëve që të verifikojnë informacionin përpara se ta shpërndajnë dhe t’u referohen burimeve zyrtare, me qëllim shmangien e përhapjes së frikës dhe shtimit të tensioneve.

Gjatë vizitës në Spitalin e Traumës, ministrja shprehu gjithashtu mirënjohjen për ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe personelin shëndetësor në të gjithë vendin për përkushtimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë në përballimin e fluksit të shtuar të të lënduarve.

Sipas të dhënave të administruara nga strukturat shëndetësore, gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 18 tetor 2026 janë raportuar gjithsej 303 persona të lënduar.

Nga ky total, 190 janë punonjës të Policisë, 87 protestues dhe 26 kalimtarë.

Të dhënat përfshijnë raportimet nga Spitali Universitar i Traumës, qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” dhe spitalet rajonale të Durrësit, Vlorës dhe Lezhës. /euronews.al