Mungesa e prokurorit të rastit ndërpret seancën për Ibër-Lepencin
Foto: Laura Hasani

Mungesa e prokurorit të rastit ndërpret seancën për Ibër-Lepencin

Aktuale October 19, 2026 - 15:17

Seanca gjyqësore për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc është ndërprerë për shkak të mungesës së prokurorit të rastit, Bekim Kodraliu.

Prokurori zëvendësues, Armend Zenelaj, i cili ishte i pranishëm në seancën e sotme, ka kërkuar që shqyrtimi gjyqësor të ndërpritet dhe të caktohet për një datë tjetër.

Kërkesën e ka kundërshtuar mbrojtja e të akuzuarve, duke shprehur pakënaqësi për mungesën e prokurorit të rastit. Avokatët kanë deklaruar se ishin përgatitur për këtë seancë prej disa javësh dhe se ishin angazhuar për sigurimin e dëshmitarëve.

Megjithatë, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Vesel Ismaili, e ka aprovuar kërkesën e prokurorit zëvendësues.

Seanca e radhës nuk është caktuar, pasi gjyqtari Ismaili ka bërë të ditur se do të pensionohet dhe se për këtë arsye do të ketë ndryshime në përbërjen e trupit gjykues.

Para ndërprerjes së seancës, është dëgjuar dëshmitarja Tiana Viqentijeviq, e propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit Jovan Viqentijeviq.

Ajo ka deklaruar se Jovani është axha i saj dhe se, përveç qëndrimit në fshat, ai kohë pas kohe qëndron edhe në Zubin-Potok, ku e ka pjesën e vet të shtëpisë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të mbrojtjes, Tiana ka thënë se e mban mend ditën e sulmit, më 29 nëntor 2024, pasi një ose dy ditë më vonë ishin arrestuar axhallarët e saj, fillimisht Dragisha e më pas Jovani.

Sipas dëshmisë së saj, atë ditë Jovani kishte ardhur në shtëpi për t’u përgatitur për punë. Ajo ka treguar se ai kishte sjellë vezë fshati dhe më pas kishte shkuar për vizitë te familja e saj, ku kishin biseduar për rreth 10 deri në 15 minuta duke pirë çaj.

Tiana ka deklaruar se, pas kësaj vizite, Jovani ishte nisur për në punë. Ajo ka thënë se ndërrimi i tij fillon në orën 20:00 dhe se vendi i tij i punës është në ujësjellësin e Gazivodës.

Dëshmia e saj u paraqit në kuadër të provave të propozuara nga mbrojtja. /rtk