Ligji për Specialen, Çitaku: Ndjesë për shqetësimet, po punojmë që nisma të jetë e zbatueshme
Foto: Laura Hasani

Ligji për Specialen, Çitaku: Ndjesë për shqetësimet, po punojmë që nisma të jetë e zbatueshme

Aktuale November 19, 2026 - 14:47

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka dhënë sqarime shtesë pas shtyrjes së seancës së sotme, ku në rend dite ishte Ligji për Specialen.

Në një konferencë për media, ajo ka thënë se deri në javën e ardhshme do të përgatit një draft i ri, do të ketë si përmbajtje propozimet e PDK-së, si dhe ato që do të vijnë nga ekspertët.

Image

Çitaku ka kërkuar ndjesë për të gjithë ata që janë shqetësuar se nisma mund të mbetet në gjysmë.

“Tani dua t’u drejtohem atyre që e kanë ndjekur këtë proces me këtë shqetësim. I pranoj kritikat për mënyrën se si kemi ecur deri më sot, në emër të bashkëpartiakëve u kërkoj ndjesë të gjithë atyre që për shkak të vonesave dhe paqartësive u shqetësuan se kjo nismë do të mbetet në gjysmë”, ka thënë ajo.

Image

Çitaku është zotuar se kjo nismë do të çohet deri në fund, në mënyrë që ligji të jetë më i fortë, më i qëndrueshëm, më i zbatueshëm.

Image

“Grupi punues do të vazhdojë punën për përgatitjen e strategjisë për në Apel. Uniteti i shqiptarëve për këtë çështje ka peshë historike. Këtë duhet ta dëshmojmë me punën në Kuvend dhe me mbështetjen konkrete ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Këtë ua kemi borxh atyre dhe familjeve të tyre, këtë ia kemi borxh historisë së vendit tonë dhe të ardhmes sonë”, ka thënë ajo. /klankosova

Image