Kuvendi ratifikon Konventën për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja
Foto: Laura Hasani

Kuvendi ratifikon Konventën për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja

Aktuale November 19, 2026 - 15:39

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 84 vota për Projektligjin për ratifikimin e Konventës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja në çështjet civile ose tregtare.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ratifikimi i kësaj konvente paraqet një hap të rëndësishëm për Kosovën, pasi mundëson njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në çështjet civile dhe tregtare edhe në shtetet e tjera.

Gërvalla theksoi se konventa do t’ua lehtësojë qytetarëve dhe bizneseve realizimin e të drejtave të fituara përmes vendimeve gjyqësore, duke zvogëluar pengesat dhe kostot për njohjen e tyre jashtë vendit.

“Me këtë projektligj, Republika e Kosovës po e bën një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, duke i hapur rrugë aderimit në njërin prej mekanizmave më të rëndësishëm të Konferencës së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private. Në thelb, kjo konventë e zgjidh një problem shumë praktik dhe real: sot, kur jetojmë në një kohë kur lëvizja e njerëzve, puna e mërgatës sonë dhe shkëmbimet tregtare nuk njohin kufij, shpesh herë ndodh që një qytetar apo një kompani e fiton një të drejtë me vendim të prerë të gjykatës në një shtet, por has në barriera të pafundme kur kërkon që ai vendim të njihet dhe të zbatohet në një shtet tjetër. Kjo konventë, pikërisht këtë pengesë e heq. Ajo vendos një grup të qartë rregullash ndërkombëtare, duke garantuar që vendimet gjyqësore në çështjet civile dhe tregtare të njihen dhe të ekzekutohen në mënyrë të drejtë, të shpejtë dhe me shumë më pak kosto për të gjitha palët dhe në të gjitha shtetet”, tha ajo.

Mbështetjen për këtë marrëveshje, si dhe për dy marrëveshjet e tjera ndërkombëtare që pritet të shqyrtohen gjatë kësaj seance, e kanë shprehur edhe partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca.