Irani kufizon blerjen e bukës së subvencionuar, kritika edhe nga mediat pranë pushtetit
Foto: AFP

Irani kufizon blerjen e bukës së subvencionuar, kritika edhe nga mediat pranë pushtetit

Bota November 19, 2026 - 18:37

Autoritetet iraniane kanë nisur të kufizojnë sasinë e bukës së subvencionuar që mund të blejnë familjet në të paktën tri provinca të vendit. Pasi të shterojë kuota mujore, qytetarët duhet të paguajnë një çmim rreth 5.5 herë më të lartë.

Zyrtarët kanë dhënë shpjegime kundërthënëse për këtë masë, e cila ka nxitur kritika nga ekonomistët, por edhe nga mediat që mbështesin linjën e ashpër të pushtetit iranian.

Skema e Ministrisë së Brendshme, e quajtur "menaxhimi i blerjes së bukës", është aktivizuar përmes pajisjeve për pagesa me kartë në furrat e bukës në provincat Markazi, Khuzestan dhe Zanjan.

Sipas raportimeve të mediave iraniane më 18 nëntor, masa është zbatuar pa ndonjë njoftim publik dhe pa i informuar paraprakisht as furrtarët, as konsumatorët.

Sipas skemës, çdo personi i takon një kuotë mujore prej rreth tetë kilogramësh miell të subvencionuar, me çmim prej 23.000 rialësh për kilogram, apo më pak se një cent amerikan.

Pas tejkalimit të kësaj kuote, buka duhet të blihet me çmimin e tregut të lirë, prej 126.500 rialësh, apo rreth pesë centësh.

Ndonëse këto shuma duken të vogla kur shprehen në dollarë, kjo ndodh për shkak të zhvlerësimit të madh të monedhës iraniane.

Në tregun e lirë, një dollar amerikan këmbehet me rreth 2.7 milionë rialë, ndërsa paga minimale mujore prej rreth 166 milionë rialësh vlen vetëm rreth 61 dollarë.

Mediat iraniane nuk pajtohen as për mënyrën se si duhet të përshkruhet kjo masë. Disa e quajnë "racionim" të bukës, ndërsa të tjera e kundërshtojnë këtë përkufizim.

"Konsumimi i më shumë bukës është shenjë e varfërisë"

Disa nga kritikat më të ashpra kanë ardhur nga vetë qarqet e afërta me pushtetin.

Gazeta e linjës së ashpër Keyhan, kryeredaktori i së cilës emërohet nga udhëheqësi suprem i Iranit, e akuzoi më 16 nëntor Qeverinë e presidentit Masud Pezeshkian për "zbatimin e fshehtë dhe të dyshimtë të racionimit të bukës".

Sipas gazetës, kjo masë ka nxitur qytetarët të vërshojnë drejt furrave të bukës.

Edhe gazeta reformiste Sharq kritikoi mënyrën se si Qeveria e kishte zbatuar skemën pa paralajmërim.

Ndërkohë, portali konservator Tabnak argumentoi se "konsumimi i më shumë bukës është shenjë e varfërisë, jo e abuzimit".

Ky koment dukej se u drejtohej zyrtarëve që janë ankuar për rritjen e kërkesës për bukë.

Portali theksoi se familjet me të ardhura të ulëta mbështeten më shumë te buka kur nuk kanë mundësi të blejnë ushqime të tjera.

Presidenti Pezeshkian, duke folur më 18 nëntor, mbrojti vendosjen e kontrolleve më të rrepta, duke përmendur abuzimet në shkallë të gjerë me energjinë dhe produktet bazë të subvencionuara.

Ai përmendi raste të blerjeve të përsëritura të karburantit brenda një dite, përdorimin e energjisë elektrike të subvencionuar për prodhimin e kriptovalutave, si dhe individë që, sipas tij, kishin blerë deri në 18 tonë bukë të subvencionuar në muaj.

Ekonomisti iranian Ahmad Alavi, i cili jeton në Suedi, i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se kufizimet e reja të bukës ndjekin një model të njohur të politikave ekonomike të Iranit.

Sipas tij, vendi përballet me atë që ai e përshkruan si bllokadë detare, tokësore dhe ajrore, ndërkohë që të ardhurat nga nafta dhe eksportet po bien, kurse recesioni e bën të pamundur rritjen e taksave.

"Së pari vendoset racionimi i mallrave, pastaj zvogëlohen kuotat dhe konsumatori detyrohet t'i drejtohet tregut të lirë", tha Alavi.

"Burimet që lirohen i shkojnë pushtetit për të financuar prioritetet e tij", shtoi ai.

Sipas ekonomistit, këto prioritete përfshijnë luftën me Shtetet e Bashkuara, grupet aleate të Iranit në rajon dhe forcat e brendshme të sigurisë.

Alavi kritikoi edhe vendosjen e një kuote të njëjtë për çdo person, duke theksuar se kjo nuk merr parasysh dallimet mes familjeve iraniane dhe nevojat e tyre ekonomike.

Sipas tij, një sistem i tillë përsërit dështimet e planifikimit qendror të stilit sovjetik dhe krijon atë që ai e quan "shpërndarje të përmbysur": subvencionet u shkojnë edhe atyre që nuk kanë nevojë, ndërsa ata që varen prej tyre mbeten pa mbështetje të mjaftueshme.

Ai tha se një problem i ngjashëm është shfaqur edhe me ndihmat financiare të drejtpërdrejta, që Irani i zbaton që nga viti 2010.

"Buka është një e mirë publike. Të gjithë duhet të kenë mundësi ta sigurojnë shpejt dhe me çmim të ulët, pa asnjë diskriminim", tha Alavi.

Sipas tij, autoritetet po përqendrohen te hallka e fundit e zinxhirit të furnizimit, pra te konsumatori, sepse aty është më e lehtë të ushtrohet kontroll, duke marrë parasysh përmasat e mëdha të ekonomisë joformale në Iran.

Megjithatë, ai paralajmëroi se pasojat e këtyre masave mund të jenë shumë më të kushtueshme në afat të gjatë.

Sipas Alavit, ato mund të çojnë në humbje të besimit shoqëror, thellim të varfërisë dhe kequshqyerje, duke krijuar kosto shtesë për shtetin në sistemin shëndetësor.

"Kjo masë nuk është efikase as në zbatim, as në kursimin e parave", përfundoi ai. /REL