Vonesa në parkun solar në Rahovec, Gërxhaliu: Agjenda politike po pengon zhvillimin energjetik
Janë bërë më shumë se dy vjet që kur një konsorcium prej katër kompanish fitoi ankandin për ndërtimin e parkut diellor në Rahovec, por projekti ende nuk ka nisur.
Ndërsa afati për fillimin e prodhimit të energjisë nga ky projekt është nëntori 2026.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se vonesat në projekte të tilla po tregojnë mungesë të përgjegjësisë institucionale dhe po pengojnë zhvillimin energjetik të vendit.
Gërxhaliu tha se në Kosovë po dominon agjenda politike mbi sektorin energjetik.
“Derisa vendet e rajonit dhe vendet europiane janë duke bërë gara për të investuar në kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike në panel solar, apo në erë, apo edhe hidro në Kosovë ende dominon agjenda politike. Agjendë politike e cila po e ngulfat çdo ide dhe çdo projekt që ka rëndësi strategjike për Kosovën. Nuk është në pyetje vetëm dështimi në ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ apo ‘Kosovës C’, është shqetësues fakti që në Kosovë flitet për energji alternative, mirëpo ato energji alternative mbeten vetëm fjalë në fushata zgjedhore, por realiteti dëshmon të kundërtën. Derisa Evropa sot siguron më tepër se 47% të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, në Kosovë ndër vite është folur shumë e nuk është bërë asgjë”, tha ai për Ekonominë Online.
“Të vetmet që kanë mbetur deri më tani janë parku i Bajgorës në energji të erës që ka afër 105 megavate, kemi diçka në biomasë, mirëpo projektet pompoze të paralajmëruara janë duke dështuar nga dita në ditë. Sot investitorët kosovarë apo biznesmenët kosovarë janë investitorët më të mëdhenj në energji elektrike në Maqedoni, që prodhohet në bazë të erës dhe të diellit, që dëshmon se në Kosovë nuk ka kushte adekuate që të tërheqim investimet jo vetëm të huaja, por edhe të investitorëve vendorë. Procedurat burokratike janë vërtet shqetësuese. Mungesa, do të thotë, e një komunikimi të mirëfilltë dhe një debat publik është duke munguar. Dhe krejt kësaj i shtohet fakti që, si duket, ai që e kontrollon importin e energjisë elektrike, importin e derivateve të naftës dhe importin e produkteve farmaceutike, e ka interesin zero për të ndërtuar kapacitete të reja në Kosovë. Ky është turpi i kohës që e ka kapluar Kosovën: të jesh vendi i dytë në Evropë dhe i katërti apo i pesti në botë me thëngjill, dhe të jesh i varur nga importi i energjisë elektrike është shqetësuese. Të kesh këto mundësi për energji të erës dhe për panel solar dhe të mos bësh asgjë, vetëm të flitet, është mjerim i dytë”, u shpreh Gërxhaliu.
Ai tha se në Kosovë mungon përgjegjësia institucionale dhe individuale në emër të projekteve publike, duke shtuar se sot më shumë po mbrohen interesat e grupeve të caktuara.
“Dhe e treta, definitivisht të gjitha ato parashikime dhe konferenca për media, si duket kanë qenë nga ana e institucioneve vetëm fushata zgjedhore dhe marketing politik, por jo diçka që përfiton qytetari i Kosovës, jo diçka që përfiton ekonomia e Kosovës, sepse më tutje Kosova është e varur nga importi i energjisë elektrike. E tëra kjo dëshmon faktin që në Kosovë mungon përgjegjësia institucionale dhe individuale në emër të projekteve publike. Sot shumë më tepër mbrohen interesat e grupeve të caktuara dhe përfitimet, do të thotë, e grupeve të lidhura me politikën. Por këtë po e paguan qytetari, këtë po e paguan komuniteti i biznesit. Dhe nuk duhet të na habitë fakti që nga Kosova nuk ikin vetëm qytetarët nga fakti që u humb shpresa se në Kosovë mund të jetohet, por ikën kapitali dhe ikin, do të thotë, bizneset, të cilat mëshirën apo satisfaksionin për të investuar po e gjejnë shumë më lehtë në vendet e rajonit sesa në Kosovë“, thotë ai.
Gërxhaliu deklaroi se është koha kur duhet të kërkohet llogaridhënie.
“Problemi më i madh është se në Kosovë mungon përgjegjësia qoftë institucionale, qoftë individuale. Është koha kur duhet të kërkohet llogaridhënie, mirëpo nuk mund të kërkohet llogaridhënie nga ata që në mungesë të energjisë elektrike, dhe duke bllokuar projekte të shumta kapitale, përfitojnë përmes importit të energjisë elektrike. Si duket është kalitur traseja që në Kosovë shumë më tepër ka fitime nga tregtia me energji elektrike duke importuar sesa duke prodhuar. Prandaj bllokohen projektet strategjike, qoftë në thëngjill, qoftë në erë, qoftë në ujë, por edhe në panel solar, siç është rasti që do të ketë dështime, do të thotë, në parkun solar në Suharekë; dhe kjo e dëshmon definitivisht mungesën e përgjegjësisë. Por është një moment kur të gjitha këto po shihen, sepse e vërtetë nuk po kërkohet llogaridhënie, nuk po kërkohet përgjegjësi dhe, do të thotë, po vazhdohet me avazin e vjetër që Kosova të varfërohet, jo të zhvillohet, dhe jo të jetë eksportuese, por të jetë importuese e energjisë elektrike”, u shpreh tutje Gërxhaliu.