30-vjeçari nga Maliqi denoncon dhunën nga policia greke: Më ngatërruan me një person tjetër
Një 30-vjeçar nga Maliqi i Korçës është paraqitur në Spitalin Rajonal të Korçës me dëmtime serioze në trup, të cilat sipas deklarimeve të tij, dyshohet se janë shkaktuar nga policia greke.
Bëhet fjalë për shtetasin Maldin Maxhari, i cili ka marrë ndihmë mjekësore në spital dhe më pas ka kallëzuar rastin pranë autoriteteve shqiptare.
Sipas deklaratës së tij, ai është dhunuar në Kalkidhë disa ditë më parë nga efektivë të policisë greke, pasi, sipas tij, është ngatërruar me një person tjetër të dyshuar për kryerjen e një vepre penale.
30-vjeçari ka pretenduar se është goditur rëndë gjatë ndërhyrjes së policisë, ndërsa mjekët kanë konstatuar disa trauma në trup. Burime spitalore bëjnë me dije se, megjithëse ka pësuar dëmtime të shumta, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia shqiptare ka nisur procedurat për verifikimin e rrethanave të ngjarjes dhe po punon për dokumentimin e plotë të rastit. /euronews