Ferizajasi gjen një kuletë me para dhe dokumente, e dorëzon në Polici

Ferizajasi gjen një kuletë me para dhe dokumente, e dorëzon në Polici

Kronika June 19, 2026 - 08:42

Një qytetar nga Ferizaj ka dhënë një shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, pasi ka gjetur një portofol me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar atë në Polici.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të enjten, më 18 qershor 2026, rreth orës 18:00, në rrugën “Gjergj Fishta” në Ferizaj.

Qytetari F. Abazi, 34 vjeç, ka gjetur një portofol që përmbante dokumente personale dhe 160 euro.

Menjëherë pas gjetjes, ai është paraqitur në stacionin policor në Ferizaj, ku ka dorëzuar portofolin.

Pak më vonë në stacionin policor është paraqitur edhe pronari i portofolit, E.A., 24 vjeç nga Shtimja, i cili kishte raportuar humbjen e tij. Pas verifikimeve të nevojshme nga zyrtarët policorë, portofoli me dokumentet personale dhe shumën prej 160 eurosh i është kthyer pronarit të ligjshëm.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht qytetarin për veprimin e tij shembullor.

“Ky gjest dëshmon përgjegjësi të lartë qytetare dhe kontribuon në forcimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë dhe komunitetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti është vlerësuar si një shembull pozitiv i solidaritetit dhe ndershmërisë në shoqëri. /Zëri