Inspektorati i Punës: Po hetohen rrethanat e aksidentit fatal në Prishtinë, do të merren masa nëse konstatohen shkelje
Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas aksidentit fatal në një kantier ndërtimi në Prishtinë, ku një punëtor humbi jetën dhe një tjetër u lëndua, duke shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe duke bërë të ditur se rasti po trajtohet me prioritet të lartë.
Inspektorati thotë se është duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet e tjera kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Institucioni sqaron se mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë ndaj punëmarrësve, kontraktorëve dhe nënkontraktorëve është në kompetencë të Inspektoratit Qendror të Punës.
Ndërkaq, për sigurinë e palëve të treta dhe parandalimin e dëmeve jashtë kantierit, përgjegjëse janë inspektoratet komunale të ndërtimit, siç përcaktohet në Ligjin për Ndërtim.
Inspektorati thekson se nuk ka kompetencë ligjore për të vlerësuar nëse janë plotësuar kushtet për lëshimin e lejeve ndërtimore, pasi kjo është përgjegjësi e autoriteteve përkatëse.
Sipas tij, është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi shkaqet e aksidentit, pasi rasti kërkon hetime dhe ekspertiza shtesë.
"Nëse nga hetimet konstatohet se ka pasur shkelje të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Inspektorati Qendror i Punës do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore brenda kompetencave të tij dhe do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë", thuhet në reagim.
Inspektorati njofton gjithashtu se do të iniciojë diskutime me institucionet përgjegjëse për krijimin e një mekanizmi të rregullt të koordinimit dhe njoftimit për lejet ndërtimore dhe hapjen e kantiereve të reja, me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes parandaluese në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. /Zëri