Prangoset në flagrancë një person në Prizren, përmes shantazhit ia mori 50 mijë euro një gruaje
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar për veprat penale “Shantazhi” dhe “Ngacmimi”.
Sipas Prokurorisë, thuhet se i dyshuari me inicialet S.Q. dyshohet se nga qershori i vitit 2025 deri më 13 gusht 2026, në Prizren dhe përmes rrjeteve sociale, ka kanosur dhe shantazhuar një grua me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm financiar.
Prokuroria dyshon se i arrestuari, përmes komunikimeve në aplikacionin WhatsApp, ka ushtruar presion ndaj të dëmtuarës duke e kërcënuar se do t’ua publikonte dhe dërgonte familjarëve materiale që, sipas pretendimeve të tij, do t’i cenonin nderin dhe autoritetin.
Në këtë mënyrë, sipas dyshimeve të deritanishme, ai ka kërkuar dhe ka arritur të sigurojë deri në 50 mijë euro.
E dëmtuara dyshohet se ka siguruar paratë edhe përmes shitjes së arit të marrë nga nëna dhe familjarët e saj, me qëllim përmbushjen e kërkesave të të dyshuarit.
Gjithashtu dyshohet se komunikimet e padëshiruara dhe kërcënuese kanë vazhduar, duke i shkaktuar të dëmtuarës frikë dhe shqetësim të madh emocional për veten dhe familjarët e saj.
I dyshuari ndodhet në ndalim prej 48 orësh.
Ndërkohë, gjatë veprimeve policore janë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një veturë dhe dy telefona celularë.
“Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe sigurimin e provave relevante”, thuhet në njoftim.