Dogana sekuestron 2.559 pako barnash pa banderola në Prishtinë

Dogana sekuestron 2.559 pako barnash pa banderola në Prishtinë

Kronika August 25, 2026 - 12:54

Dogana e Kosovës ka sekuestruar 2.559 pako barnash pa dokumentacion dhe pa banderola të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli në një subjekt farmaceutik dhe një shtëpi banimi në Prishtinë.

Sipas Doganës, kontrolli është realizuar nga njësitë kompetente në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve, pas pranimit të një informate zyrtare.

Gjatë kontrollit në subjektin farmaceutik, në pjesën e tualetit është zbuluar një hapësirë e modifikuar, ku ishin fshehur 2.161 pako barnash pa dokumentacion mbulues dhe pa banderola RKS.

Me autorizim të prokurorit kompetent, kontrolli ka vazhduar edhe në një shtëpi banimi të ndërlidhur me rastin. Në bodrum dhe në pjesë të tjera të objektit janë gjetur edhe 398 pako barnash pa banderola.

Në të dyja lokacionet janë sekuestruar gjithsej 2.559 pako.

Dogana ka bërë të ditur se vlera doganore e barnave të sekuestruara në subjektin farmaceutik është 15.112.84 euro, ndërsa në shtëpinë e banimit 5.633.10 euro.

Në total, vlera doganore e mallit të sekuestruar arrin në 20.745.94 euro, transmeton Zeri.info.

Malli është sekuestruar dhe evidentuar në dokumentacionin përkatës, së bashku me specifikacionet e sasive dhe emërtimet e barnave.

Rasti po trajtohet në koordinim me prokurorin kompetent dhe institucionet përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtimit të paligjshëm të barnave, me synim mbrojtjen e shëndetit publik, konkurrencës së ndershme dhe interesave financiare të Republikës së Kosovës. /Zëri