Arrestohet shtetasi i Shqipërisë në Vërmicë, kapet me mbi dy kg marihuanë duke hyrë në Kosovë
Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Shqipërisë, pasi gjatë kontrollit në pikën kufitare në Vërmicë i janë gjetur mbi dy kilogramë marihuanë.
Rasti ka ndodhur më 8 shtator, gjatë realizimit të planit taktik “Transporti”, ku zyrtarët policorë të SPK-së në Vërmicë, në bashkëpunim me zyrtarët doganorë, kanë përzgjedhur për kontroll të vijës së dytë persona dhe automjete me potencial të dyshuar kriminal.
Gjatë kontrollit të një autobusi që po hynte në Kosovë nga Shqipëria, policia ka kontrolluar edhe bagazhet personale të pasagjerëve.
Në çantën e krahut të njërit prej pasagjerëve, shtetas i Shqipërisë, është gjetur një qese me rreth 2.162 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, të cilat kanë trajtuar rastin dhe kanë administruar provat materiale.
Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka iniciuar rastin për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Policia e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, si dhe në vënien e personave të dyshuar para përgjegjësisë ligjore. /Zëri