Policia sqaron masat para 16 shtatorit: Planet e sigurisë janë procedura të rregullta
Foto: Laura Hasani

Policia sqaron masat para 16 shtatorit: Planet e sigurisë janë procedura të rregullta

Kronika September 13, 2026 - 21:54

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve në disa portale se vendi do të “blindoset” në prag të vendimit të Hagës, duke i cilësuar ato si pretendime që mund të keqinformojnë opinionin.

Përmes një njoftimi për media, Policia ka sqaruar se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste të zhvillimeve, aktiviteteve apo tubimeve me pjesëmarrje të madhe janë pjesë e procedurave të rregullta policore.“Me qëllim të njoftimit të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe më gjerë, ju bëjmë me dije se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore”, thuhet në njoftim.

Policia ka përmendur edhe marshin solidarizues paqësor të 12 shtatorit, duke theksuar se masat e sigurisë në raste të tilla planifikohen për menaxhimin e sigurt të tubimeve, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, qarkullimin e trafikut rrugor dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve.

Sipas Policisë, në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve merret parasysh edhe mundësia që individë apo elemente të caktuara, përfshirë edhe nga jashtë vendit, të tentojnë t’i shfrytëzojnë grumbullimet e mëdha për provokime, incidente apo veprime destabilizuese.

“Këto janë masa parandaluese dhe standarde, të cilat aplikohen varësisht nga numri i pritshëm i pjesëmarrësve dhe vlerësimit të përgjithshëm të situatës”, thuhet në njoftim.

Në fund, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësim të panevojshëm në opinion.