Ishte shpallur i zhdukur nga familja, gjendet pa shenja jete një person në Zajm të Klinës
Foto: Zëri / Ilustrim

Ishte shpallur i zhdukur nga familja, gjendet pa shenja jete një person në Zajm të Klinës

Kronika September 15, 2026 - 13:33

Një person i raportuar si i zhdukur është gjetur pa shenja jete sot në fshatin Zajm të Klinës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka thënë se rasti është raportuar në orët e para të mëngjesit në Stacionin Policor në Klinë.

“Sot, më datën 15.09.2026, rreth orës 02:35, në Stacionin Policor në Klinë ka ardhur një person dhe ka raportuar se familjar i saj që nga dita e djeshme nuk lajmërohet në telefon dhe i njëjti është shpallur ‘Person i zhdukur’”, ka deklaruar Rugova për Zërin.

Pas ndërmarrjes së masave për kërkimin e tij, personi është gjetur rreth orës 10:10 në fshatin Zajm, por pa shenja jete.

Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Në vendngjarje kanë dalë hetuesit nga Sektori Rajonal për Hetime i DRP-së në Pejë dhe prokurori i Shtetit.

“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML – Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti cilësohet ‘Hetim i Vdekjes’”, ka thënë Rugova.

Hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes janë në zhvillim./Zëri

Image
Vendi i ngjarjes