Mbrohen në heshtje 22 zyrtarët policorë të akuzuar për korrupsion në Qafë-Morinë, për njërin veçohet procedura
Foto: Laura Hasani

Mbrohen në heshtje 22 zyrtarët policorë të akuzuar për korrupsion në Qafë-Morinë, për njërin veçohet procedura

Kronika October 20, 2026 - 13:38

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, në gjykimin ndaj 23 zyrtarëve policorë të akuzuar për korrupsion në pikën kufitare Qafë-Morinë, të gjithë të akuzuarit (përveç Hamëz Pukës që mungoi në seancë) deklaruan se shfrytëzojnë të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje dhe deklaruan se qëndrojnë pas deklarimeve të dhëna më parë. Për të akuzuarin Puka u veçua procedura penale.

Të akuzuar në këtë rast janë: Ahmet Kasumaj, Ahmet Shabanaj, Agim Hadërgjonaj, Besim Lokaj, Demë Lokaj, Fatmir Sadiku, Fazli Gjonbalaj, Gani Ahmeti, Gëzim Hoxhaj, Gzim Shabani, Gëzim Turkaj, Haki Dobraj, Hamëz Puka, Hysen Hasani, Isa Dobraj, Ismet Tahiraj, Lush Himaj, Mergim Bekaj, Rasim Tolaj, Skender Meta, Xhemë Hadërgjonaj, Xhevdet Haklaj dhe Valon Hoxhaj, të gjithë zyrtarë policorë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, gjatë procedurës së administrimit të provave, mbrojtësi i të akuzuarit Demë Lokaj, avokati Leutrim Syla, propozoi të administrohet si provë një letër e shënuar me dorëshkrim nga vetë Lokaj, e cila sipas mbrojtësit, përmban të dhëna konfidenciale të cilat i mbrojturi i tij i ka shënuar dhe i ka bartur pastaj te Njësitë e Inteligjencës në Komunën e Gjakovës, me qëllim të zbardhjes së të vërtetës.

“Propozoj të administrohet një provë, është një dorëshkrim që i mbrojturi im e ka ruajtur që kësaj gjykate t’ia tregojë versionin e saktë. Në të janë të përshkruara dhe ka të dhëna konfidenciale, ka të përshkruar tabelë të veturës dhe emër mbiemër të personit subjekt të hetimit. Këto informacione janë bartur edhe në Njësinë e Inteligjencës në Gjakovë”, tha avokati Syla.

Prokurori special Ilir Morina e kundërshtoi administrimin e kësaj prove, duke argumentuar se nuk është marrë në pajtim me dispozitat e KPPRK-së gjatë hetimit dhe shtoi se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë gjatë hetimeve nga pala mbrojtëse, se origjina e provës është e dyshimtë dhe nuk mund të verifikohet.

Syla pastaj tha se secili zyrtar policor ka kanalet për njoftim te shërbimet e inteligjencës në Kosovë nëse vërejnë diçka të dyshimtë, andaj sipas tij, prova është e pranueshme. Tha se kjo provë sqaron se çfarë ka ndodhur dhe zbulon gjithë të vërtetën.

“Andaj, konsiderojmë se gjykata të vendosë lidhur me këtë provë duke ditur se është versioni i vetëm i saktë për dallim nga versioni i Prokurorisë. Prova nuk është shfajësim për klientin tim, por sqaron se çka ka ndodhur”, shtoi avokati Syla.

Më pas, kryetari i trupit gjykues Avni Syla konstatoi se në lidhje me provën e propozuar para se të vendosë, Gjykata njëherë do t’i drejtohet sipas detyrës zyrtare Drejtorisë së Policisë në Gjakovë.

Pastaj, mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Sadiku, avokati Amer Alija, deklaroi se ngjarjet për të cilat akuzohet i mbrojturi i tij janë për datat kur Sadiku nuk ka qenë duke u përgjuar nga masat e fshehta.

Avokati propozoi të nxirret një ekspertizë dhe të caktohet një ekspert i forenzikës digjitale, i cili do të saktësojë orën dhe ditën e ngjarjeve të përshkruara në aktakuzë.

Kurse, prokurori Morina kundërshtoi ekspertizën e propozuar duke thënë se nuk është e nevojshme sepse hetimet, transkriptimet dhe parashtresa e përpiluar për plotësim të provave është bërë, sipas tij, nga institucione publike dhe me standarde evropiane.

Ekspertizën e forenzikës digjitale, e kundërshtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve Ahmet Shabanaj dhe Skender Meta, avokatët Naim Rudari dhe Ramiz Krasniqi, pasi që sipas tyre, video-incizimet janë mangësi e Prokurorisë andaj nuk ka nevojë mbrojtja me ekspertizë të ndihmojë Prokurorinë për plotësim të tyre.

“Kur kundërshtari gabon, mos e ndihmo, andaj mos e ndihmoni Prokurorinë”, tha avokati Krasniqi.

Kundërshtimin e avokatëve Rudari dhe Krasniqi e mbështetën edhe të gjithë mbrojtësit e tjerë të të akuzuarve në procedurë gjyqësore.

Gjykata pastaj me aktvendim refuzoi nxjerrjen e një ekspertize dhe caktimin e ekspertit të forenzikës digjitale, me arsyen se është e panevojshme pasi që për këtë çështje Prokuroria me parashtresë ka bërë plotësimin e provave duke përshkruar ngjarjet në video-incizime, caktuar orën dhe datën e saktë dhe duke transkriptuar ato.

Ndërsa në fillim të seancës, gjykatësi Syla me propozim të mbrojtësit të akuzuarit Hamëz Puka, avokatit Ramë Dreshaj, vendosi të veçohet procedura gjyqësore ndaj tij, për arsye se nuk mund të jetë i pranishëm në shqyrtim gjyqësor shkaku i problemeve serioze me shëndetin.

Andaj, meqenëse Gjykata duhet të pranojë përgjigje nga autoritetet policore në Gjakovë lidhur me provën e propozuar, seanca u ndërpre për të vazhduar me një datë tjetër.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj 23 zyrtarëve policorë, të cilët ngarkohen për korrupsion të kryer në pikën kufitarë Qafë-Morinë.

Në aktakuzë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se në periudhën kohore, gusht 2021 e deri në janar 2022, në pikën kufitare “Qafë Morinë”, në regjionin e Gjakovës, të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë, atë të policit për mbikëqyrje të kufirit, me dashje dhe në vazhdimësi, individualisht dhe në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë ngarkohen se kishin pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, me qëllim që t’iu mundësohet të hyjnë në territorin e Kosovës

E gjithë kjo sipas aktakuzës, në shkelje të Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, Ligjit për Policinë e Kosovës dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Andaj, sipas dosjes së PSRK-së, gjithë zyrtarët policorë po akuzohen qoftë individualisht apo edhe në bashkëkryerje me njëri-tjetrin për veprën penale “Marrje ryshfeti”. Kurse, të akuzuarit Agim Hadërgjonaj, Mergim Bekaj, Ismet Tahiraj, Ahmet Kasumaj, Isa Dobraj dhe Fatmir Sadiku ngarkohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar”.

Tutje, në aktakuzë në kuadër të provave janë listuar edhe videoincizime për të dëshmuar veprimet e të akuzuarve.

Gjithashtu, në disa raste në aktakuzë specifikohen edhe komunikimet që të akuzuarit i bëjnë me qytetarët, duke ua mundësuar kështu kalimin e kufirit të njëjtëve pa i vlerësuar se a i plotësojnë kushtet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit thuhet se kanë marrë para nga qytetarë shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë në shuma të papërcaktuara dhe krejt kjo derisa të njëjtit ishin duke punuar në cilësinë e zyrtarëve policorë. /BetimipërDrejtësi