Kosova kërkon mrekullinë e radhës në futsall, Italia dy herë kampione e Evropës zbarkon në Prishtinë
Pas fitores së madhe në Gjeorgji, Kombëtarja e Kosovës në futsall përballen me një tjetër sfidë të nivelit të lartë, këtë herë kundër Italisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2028.
“Dardanët” kanë përpara një nga provat më të mëdha të kësaj fushate kualifikuese. Pas triumfit dramatik 3-2 në udhëtim ndaj Gjeorgjisë muajin e kaluar, Dardanët synojnë të dëshmojnë se suksesi në Tbilisi nuk ishte rastësi, por shenjë e një skuadre që mund të sfidojë edhe kundërshtarët më të fortë.
Në anën tjetër, në Prishtinë zbarkon Italia, një prej emrave më të mëdhenj të futsallit evropian dhe dy herë kampione e Evropës. Përballja zhvillohet sonte (e premte) në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit”, me fillim nga ora 20:00, në një atmosferë ku Kosova do të kërkojë të shfrytëzojë përkrahjen e tifozëve për të marrë një rezultat historik.
Kjo është ndeshja e dytë e Kosovës në Grupin 10 të raundit kryesor të kualifikimeve për Kupën e Botës 2028. Pas një ndeshjeje të zhvilluar, Italiadhe Kosova ndajnë kreun e tabelës me nga tri pikë, ndërsa Gjeorgjia renditet e fundit pa pikë, pas dy humbjeve në po aq takime.
Një grup që mund të vendoset në Itali
Sfida e sotme është vetëm fillimi i një përballjeje të dyfishtë mes Kosovës dhe Italisë. Më 10 nëntor, Dardanët do të udhëtojnë drejt Italisë për ndeshjen e kthimit, në një tjetër duel që mund të ketë peshë të madhe në përcaktimin e fituesit të grupit.
Fushatën kualifikuese, Kosova do ta përmbyllë më 24 shkurt të vitit të ardhshëm, kur në Prishtinë do ta presë Gjeorgjinë.
Rruga drejt Elite Round
Rregullat e kualifikimit e bëjnë edhe më të rëndësishme garën për vendin e parë. Fituesit e 12 grupeve dhe katër përfaqësueset më të mira të vendeve të dyta avancojnë drejtpërdrejt në Elite Round.
Tetë skuadrat e tjera që përfundojnë në vendin e dytë do të kërkojnë kualifikimin përmes ‘play-off’-it, ku vetëm katër prej tyre do të sigurojnë kalimin në raundin e fundit të kualifikimeve.
Për Kosovën, sfida me Italinë është mundësia për të bërë një tjetër hap të madh dhe për ta kthyer fitoren në Gjeorgji në një mesazh të qartë: Dardanët nuk kanë ndërmend të jenë vetëm pjesëmarrës në këtë garë. /telegrafi